Skuqen lekët e ushqimeve, anulohet fituesi që kërkoi më pak para, ngrihet flamuri i alarmit
Tenderat për furnizimin e ushqimeve për institucionet rrallë zhvillohen me konkurrim. Së fundi është procedura për repartin e ndërhyrjes së shpejtë që ka përfunduar në ankimime, ndërsa fitues u shpall subjekti që kërkoi më shumë fonde.
Procedurat e dyshimta nuk ndalen pavarësisht kritikave nga shumë institucione shtetërore. Së fundi është Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, ajo që ka zhvilluar një tender që është shënuar me flamur të kuq prej Open Data.
Bëhet fjalë për procedurën me objekt ‘Shërbim gatimi dhe shpërndarje ushqimi për Repartin e Ndërhyrjes së shpejtë, Tiranë’ me fond limit 90 milionë lekë.
Pjesëmarrës kanë qenë 3 operatorë ekonomikë, konkretisht Dion-Al shpk me ofertën rreth 72 milionë lekë, NIKA sh.p.k me ofertën 71.2 milionë lekë dhe Alar Food and Services që nuk ka paraqitur asnjë vlerë dhe është skualifikuar nga gara.
Për këtë prokurim kompania Dion-Al shpk nën administrimin e Elizabeta Nikës dhe Saimira Topallit ka paraqitur ankimim në KPP.
Shkak për prapësimin janë bërë dokumentet e paraqitura prej subjektit Nika që ka dhënë me vlerën më të ulët.
Pretendimi është pranuar prej KPP duke bërë që fitues të shpallet oferta më e lartë e më konkretisht Dion.
Procedura është sinjalizuar si problematike nga Open Data me shënimin shkualifikim i të gjithë operatorëve ekonomikë përveç fituesit.
Ajo që vihet re është se kjo kompani ka marrë pjesë edhe në 3 lotet e tjera të kësaj procedure, fondi limit i së cilës është përllogaritur 326 milionë lekë.
Në 2 prej tyre me objekt shpërndarjen e ushqimit për Spitalin e Traumës dhe Repartin Special Renea, fitues është shpallur Dajti SHPK.
Ndërsa, tenderin për shpërndarjen e ushqimit për Repartin e Ndërhyrjes së Shpejtë Fier e ka fituar Lala-Company shpk.