Shtrepi: Belgjika mbajti topin, por Egjipti tregoi si fitohet një ndeshje
I ftuar në studion e emisionit "Ora e Botërorit" në Ora News, Josel Shtrepi analizoi përballjen mes Belgjikës dhe Egjiptit, duke u ndalur te diferenca mes zotërimit të topit dhe efektivitetit në fushë.
Sipas tij, Belgjika arriti të kontrollonte lojën në aspektin statistikor, por nuk e shfrytëzoi këtë avantazh për të krijuar rrezik real pranë portës kundërshtare. Në anën tjetër, Egjipti u paraqit më i qartë në idetë e tij dhe më konkret në momentet vendimtare të ndeshjes.
"Pamë një Belgjikë që mbante topin, por jo në zonat e rrezikshme. Kishte dominim në statistikat e zotërimit, por Egjipti ishte më konkret përpara portës dhe më i sigurt për atë që donte të ofronte në fushë. Është një kampionat i gjithi për t’u parë, dita-ditës do të kemi surpriza."-tha ai.
Shtrepi vlerësoi se ndeshje të tilla tregojnë se futbolli modern nuk matet vetëm me përqindjen e mbajtjes së topit, por me aftësinë për të shfrytëzuar rastet dhe për të qenë vendimtar në momentet kyçe.
Ai shtoi se rezultatet e para të turneut po tregojnë një nivel të lartë rivaliteti, ku kombëtaret që konsiderohen favorite nuk e kanë aspak të lehtë përballë kundërshtarëve që luajnë me disiplinë dhe organizim.
Sipas tij, ky është një kompeticion që premton emocione deri në fund, ndërsa surprizat mund të jenë një nga elementët që do ta karakterizojnë më shumë këtë edicion.

