“Biznesi po vret futbollin”, Çobani: Ja pse tifozët po bojkotojnë disa ndeshje të botërorit!

Kampionati Botëror ka rikthyer në vëmendje një fenomen që nuk shihej që nga turnetë historikë të Meksikës në vitin 1970 dhe Argjentinës në 1978: oraret e vështira të transmetimit. Megjithatë, duket se oraret nuk janë i vetmi problem për tifozët.

Shumë ndeshje nuk po ndiqen me të njëjtin interes, pasi cilësia e disa skuadrave pjesëmarrëse lë për të dëshiruar, duke bërë që ndjekja e tyre të mos e justifikojë sakrificën përballë ekranit.

Specialisti i futbollit Artur Çobanit i ftuar në studion e emisionit “Ora e Botërorit” në “Ora News” u shpreh se në një ngjarje madhore si Kampionati Botëror duhet të marrin pjesë vetëm ekipet elitare.

Megjithatë, prania e disa skuadrave specifike shihet gjerësisht si një lëvizje e pastër biznesi, e cila ka kaluar në plan të parë, duke lënë pas gjeopolitikën dhe vetë spektaklin e lojës. Për shumë vëzhgues, futbolli po kthehet gjithnjë e më shumë në një industri fitimprurëse, përpara se të jetë një garë e mirëfilltë sportive.

Pavarësisht këtyre kritikave, shpresat për një spektakël të vërtetë mbeten të larta. Një detaj interesant që i dallon këto ndeshje nga botërorët e kaluar është prania e jashtëzakonshme e tifozëve në stadiume që në fazën e grupeve.

Historikisht, një popullim i tillë i shkallëve të stadiumit vihej re vetëm kur fillonin ndeshjet me eliminim direkt. Ky interes i lartë që në fillim tregon se magjia e botërorit vazhdon të tërheqë vëmendjen globale, pavarësisht se biznesi po përpiqet të marrë rolin kryesor.

PËR MË SHUMË NDIQNI EMISIONIN E PLOTË

EMISIONET