“Sekreti” i Botërorit, Luga: Nuk ka më skuadra të dobëta në futboll, shembull Kepi i Gjelbër

Në arenën e botërorit po bëhet gjithnjë e më e qartë se hendeku mes gjigantëve dhe të ashtuquajturave ekipe të vogla është zhdukur.

Ergys Luga i ftuar në studion e emisionit “Ora e Botërorit” në “Ora News” u shpreh se një ngushtim të dukshëm të linjave midis reparteve në fushën e lojës, duke e bërë çdo ndeshje një betejë të vërtetë taktike ku hapësirat janë minimale.

Tashmë nuk ka më ekipe të dobëta. Këtë e vërtetoi më së miri Kepi i Gjelbër, një kombëtare me vlerën më të ulët të lojtarëve në treg—madje më të ulët se Kuraçao që pësoi shtatë gola—por që arriti të tronditë Spanjën me një barazim të merituar.

Sipas vlerësimeve të Lugës, me pak më shumë cinizëm në dy apo tre episode kyçe, Kepi i Gjelbër madje mund të kishte dalë me fitore, duke dëshmuar mbrojtjen më të fortë të turneut deri në këtë fazë.

Surprizat nuk përfundojnë këtu. Luga tha se sfida si ajo mes Australisë dhe Turqisë, ku parashikimet ishin krejtësisht të njëanshme, treguan se lehtësia në letër nuk përkthehet në fushë.

Edhe pse për syrin e tifozit të thjeshtë këto rezultate të ngushta mund të mos duken gjithmonë atraktive, për analistët ato janë dëshmi e skuadrave jashtëzakonisht të mirëpunuara që studiojnë në detaj çdo lëvizje të kundërshtarit.

Teksa skuadrat po njihen me njëra-tjetrën në raundin e parë, pritet që raundet në vazhdim të zbulojnë akoma më shumë rrokada. Ekipe si Maroku kanë treguar gjithashtu se mund të bëjnë presing të lartë dhe të sfidojnë emra të mëdhenj si Brazili me taktika agresive.

Ndërkohë, mbetet ende një fakt zhgënjyes mospërkthimi i lojës dinamike dhe të shpejtë të klubeve angleze në suksesin e ekipit të tyre kombëtar. Futbolli modern po ndryshon me ritme të shpejta dhe fusha e gjelbër po vërteton se në këtë sport, asgjë nuk është më konstante.

PËR MË SHUMË NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “DREJT”

EMISIONET