"Zgjerimi i Botërorit nuk sjell më cilësi"/ Spahiu: Ekipet e mëdha po luajnë me “frenat e tërhequra"
I ftuar në studion e emisionit "Ora e Botërorit", Ekrem Spahiu komentoi formatin e ri të Kampionatit Botëror dhe mënyrën se si skuadrat favorite po i qasen ndeshjeve të para të turneut.
Sipas Spahiut, zgjerimi i kompeticionit nga 32 në 48 skuadra përbën një nga ndryshimet më të mëdha në historinë e turneut, një lëvizje që po shoqërohet me debate të shumta në botën e futbollit.
"Botërori është ngjarja më e rëndësishme e futbollit dhe ajo që tifozët presin me padurim. Por kalimi nga 32 në 48 skuadra është një ndryshim shumë i madh. Nuk jam i bindur se kjo do t'i japë më shumë cilësi lojës në fushë."-tha ai.
Spahiu u ndal edhe te qasja që kanë treguar skuadrat pretendente në takimet e para, duke vënë re një ritëm më të kontrolluar krahasuar me edicionet e mëparshme.
Sipas tij, ekipet që synojnë trofeun po shmangin harxhimin e panevojshëm të energjive në fazat e hershme të kompeticionit, duke menaxhuar më me kujdes ndeshjet e grupit.
"Ajo që vihet re në ndeshjet e para është se ekipet e mëdha po luajnë me më shumë qetësi. Favoritët për trofeun nuk po nxitojnë, por po e menaxhojnë turneun me kujdes dhe po mendojnë edhe për fazat që vijnë më pas."-shtoi ai.
Gjatë diskutimit, Spahiu vlerësoi se formati i ri e bën garën më gjithëpërfshirëse për më shumë vende dhe kontinente, por shtoi se sfida kryesore mbetet ruajtja e nivelit konkurrues dhe cilësisë që e ka karakterizuar historikisht Kampionatin Botëror.
Sipas tij, mënyra se si do të zhvillohet pjesa tjetër e turneut do të tregojë nëse zgjerimi i numrit të skuadrave do të ketë ndikim pozitiv apo negativ në spektaklin futbollistik që presin tifozët në mbarë botën.


