“Dilnim me daulle në sokak”/ Fazlli tregon kujtimin e veçantë nga Korça për triumfin e Gjermanisë në Botërorin 90'
E ftuar në studion e emisionit "Ora e Botërorit", Ledia Fazlli ndau disa kujtime personale dhe përshtypje mbi traditën e tifozërisë në Korçë, një qytet që sipas saj ka pasur historikisht një lidhje të veçantë me futbollin europian.
Gjatë bisedës, Fazlli tha se korçarët kanë mbështetur ndër vite kryesisht Gjermaninë dhe Holandën, ndërsa skuadra si Anglia, Italia dhe Brazili kanë pasur gjithashtu një numër të madh tifozësh në qytet.
"Unë jam korçare dhe korçarët pothuajse të gjithë historikisht kanë qenë me Gjermaninë ose me Holandën. Kjo ka qenë një traditë që është përcjellë prej vitesh në shumë familje."-tha ajo.
Fazlli solli edhe një kujtim nga Botërori i vitit 1990, kur Gjermania Perëndimore fitoi titullin kampion. Ajo tregoi atmosferën që krijohej në qytet në një kohë kur mundësitë për të ndjekur ndeshjet ishin shumë më të kufizuara se sot.
"Kam qenë shumë e vogël kur Gjermania fitoi Botërorin në vitin 1990. E mbaj mend si sot. Dilnim me daulle dhe brohorisnim 'RFG, RFG'. Në familje shikonim ndeshjet në një televizor me ngjyra dhe më pas festimet vazhdonin në sokakët e lagjes."-u shpreh Fazlli.
Sipas saj, futbolli ka qenë gjithmonë një pjesë e rëndësishme e jetës sociale në Korçë, duke bashkuar familje, miq dhe lagje të tëra rreth ndeshjeve të mëdha ndërkombëtare.


