Befasitë e Botërorit, Demi: Një nga zhgënjimet e para ishte performanca e ekipit spanjoll
Kampionati botëror ka nisur me emocione të forta dhe surpriza të mëdha, duke tërhequr vëmendjen e të gjithë sportdashësve dhe ekspertëve. Ndryshe nga pritshmëritë fillestare të analistëve, disa nga skuadrat pretendente kanë hasur vështirësi serioze që në fillim të rrugëtimit të tyre.
Fizioterapisti Klajv Demi i ftuar në studion e emisionit “Ora e Botërorit” në “Ora News” u shpreh se një nga zhgënjimet e para ishte performanca e ekipit spanjoll. Ndonëse pritej një fitore e lehtë dhe e garantuar, ekipi u gjend përballë një muri të pakalueshëm mbrojtës.
Kepi i Gjelbër u tregua jashtëzakonisht i organizuar në prapavijë, duke mos lënë pothuajse asnjë hapësirë për kundërshtarët.
Po ashtu, ndeshja e Ekuadorit dhuroi spektakël dhe shumë raste të rrezikshme për të shënuar. Të dyja skuadrat në atë përballje u shpëtuan vazhdimisht nga shtyllat pas goditjeve tepër precize.
Surprizë ishte edhe barazimi i Egjiptit. Pavarësisht se llogaritet si një ekip i nivelit mesatar, prania e disa lojtarëve elitarë që aktivizohen në kampionatet më të forta angleze krijoi idenë se skuadra do të bënte lehtësisht diferencën. Megjithatë, loja e tyre nuk i justifikoi plotësisht pritshmëritë, duke treguar mungesë barazpeshe që kujton një nivel loje mjaft modest.
PËR MË SHUMË NDIQNI EMISIONIN E PLOTË

