Bumi turistik i Shqipërisë sjell sfida të reja/ Ekspertja Ago: Tani duhet të investojmë te njerëzit dhe standardet
Turizmi shqiptar po përjeton një periudhë të fortë rritjeje, por pas bumit të vizitorëve qëndrojnë edhe sfida të reja për sektorin.
Ekspertja e turizmit Blerina Ago, në një lidhje direkte për Ora News, foli për zhvillimin e industrisë, rritjen e kërkesës nga tregjet europiane dhe nevojën për më shumë investime në shërbime dhe burime njerëzore.
Ago u shpreh se rritja e numrit të turistëve ka sjellë një presion të ri për sektorin, pasi pritshmëritë e vizitorëve janë rritur dhe kërkohet një nivel më i lartë shërbimi.
“Shifrat tregojnë që turizmi ende vazhdon të jetë në kurbën e tij të rritjes dhe ne duhet t’i përgjigjemi me shërbime cilësore. Kjo rritje me kaq vrull e turizmit të viteve të fundit na vendos përballë përgjegjësisë për kapacitetet dhe sidomos për burimet njerëzore, pasi turizmi është një industri që bazohet te njerëzit. Pritshmëria e turistëve është të kenë një shërbim me standarde, veçanërisht tani që Shqipëria është pjesë e ofertës turistike europiane.”-tha ajo.
Shqipëria tashmë po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë nga tregu europian. Sipas ekspertes, italianët mbeten ndër grupet kryesore të turistëve këtë vit, ndërsa zhvillimi i mëtejshëm kërkon një ofertë më të larmishme dhe një shtrirje më të gjatë të sezonit.
E pyetur se çfarë note do t’i vendoste sot turizmit shqiptar, Ago nuk dha një vlerësim me shifër, duke e konsideruar një përgjegjësi të madhe një matje të tillë.
“Kjo është përgjegjësi shumë e madhe të japësh një notë turizmit shqiptar. E kam ndjekur zhvillimin e industrisë që në fillim të viteve 2000 dhe e di sa shumë sakrifica dhe mund është bërë nga sipërmarrësit, individët dhe komuniteti. Sot Shqipëria vazhdon të ketë një zhvillim pozitiv dhe është kthyer në një destinacion që tërheq tregun europian. Duhet të vazhdojmë të ndërtojmë dhe të investojmë, duke iu përgjigjur kërkesave të turistëve ndërkombëtarë dhe vendas.”-shtoi Ago.
Ekspertja solli në vëmendje edhe rëndësinë e diversifikimit të tregjeve turistike dhe të ofertës, duke kujtuar se krizat e fundit, si pandemia dhe situatat gjeopolitike, treguan nevojën për një sektor më të qëndrueshëm.
Sipas saj, sfida e radhës për Shqipërinë nuk është vetëm rritja e numrit të turistëve, por krijimi i një eksperience më cilësore dhe të qëndrueshme gjatë gjithë vitit.


