(DOKUMENTI) Sherri për një pikë karikimi elektrike/ DETAJE nga konflikti mes biznesmenëve Mirton Lika e Nadir Çausholli në Tiranë

(DOKUMENTI) Sherri për një pikë karikimi elektrike/ DETAJE nga

Biznesmeni Mirton Lika ka depozituar kallëzim penal ndaj biznesmenit Nadir Çausholli, pas një incidenti të ndodhur më 6 korrik 2026 në rrugën “Ibrahim Rugova”, pranë godinës “Sky Tower” në Tiranë.

Sipas kallëzimit, Lika ka qenë duke iu afruar zyrës së tij kur ka vënë re disa persona që po montonin një pajisje karikimi për automjete elektrike në zonë.

Ai ka kërkuar informacion mbi dokumentacionin dhe lejen për vendosjen e pajisjes, duke pretenduar se çështja lidhej me një procedim të hapur pranë Prokurorisë së Tiranës.

Në kallëzim thuhet gjithashtu se një pajisje e ngjashme në të njëjtën zonë ishte sekuestruar më herët nga autoritetet, si e paligjshme. Sipas tij, punonjësit nuk kanë paraqitur dokumentacionin përkatës dhe është njoftuar policia.

Fillimisht në vendngjarje ka mbërritur një patrullë e Policisë së Shtetit, e cila ka kryer verifikimet paraprake, ndërsa më pas është njoftuar edhe Policia Bashkiake për vijimin e procedurave administrative.

Gjithashtu, Lika pretendon se gjatë pritjes për mbërritjen e autoriteteve, Çausholli i është afruar në mënyrë kërcënuese dhe situata ka degraduar në konflikt verbal. Në kallëzim thuhet se është goditur me shqelm një karrige në drejtim të tij, por pa e kapur, si dhe janë përdorur fyerje dhe sharje ndaj tij.

Autoritetet pritet të verifikojnë rrethanat e ngjarjes dhe dokumentacionin përkatës të pajisjes së vendosur në zonë.

EMISIONET