"85% e maturantëve fitojnë në raundin e parë"/ Xhelaj: U-Albania është garancia që ju shpëton vitin akademik
Maturantët në mbarë vendin ndodhen përpara një afati të rëndësishëm për aplikimet universitare në portalin U-Albania, i cili qëndron i hapur nga 6 deri më 26 korrik.
Ekspertët e arsimit u bëjnë thirrje të rinjve që të mos e neglizhojnë raundin e parë të aplikimeve, veçanërisht atyre që synojnë studime jashtë vendit.
Sipas tyre, aplikimi në këtë fazë shërben si një mundësi rezervë që garanton vazhdimësinë e studimeve në Shqipëri, në rast se nuk arrihet regjistrimi jashtë vendit ose nuk realizohet zhvendosja.
Në një lidhje direkte për Ora News, eksperti i arsimit Arjan Xhelaj ka bërë të ditur se maturantët duhet të përdorin me kujdes afatet dhe të mos e lënë aplikimin për më vonë.
“Duhet që të gjithë maturantët të aplikojnë brenda afatit të raundit të parë. Edhe ata që synojnë jashtë vendit duhet ta bëjnë këtë hap, sepse në rast se nuk realizohet studimi jashtë, kanë të siguruar një vend studimi në Shqipëri.”-tha Xhelaj.
Ai shtoi se praktika e viteve të fundit tregon një pjesëmarrje të lartë në këtë proces dhe rezultate të qëndrueshme për regjistrimet.
Sipas të dhënave zyrtare, portali U-Albania funksionon prej rreth një dekade dhe ka një fluks të rregullt aplikimesh çdo vit. Rreth 85% e aplikantëve arrijnë të sigurojnë një vend studimi që në raundin e parë.
“Ne synojmë që maturantët të kenë gjithmonë një mundësi të hapur në Shqipëri. Universitetet tona, pavarësisht sfidave, ofrojnë një proces formimi që u jep të rinjve një produkt përfundimtar të vlefshëm.”-shtoi ai.
Xhelaj nënvizon se qëllimi i këtij procesi është të mos lihet asnjë maturant pa një alternativë studimi. Edhe për ata që synojnë universitetet e huaja, aplikimi në U-Albania mbetet një hap i domosdoshëm për të shmangur humbjen e një viti akademik.
Zgjedhja mbetet te vetë të rinjtë, por këshilla kryesore është e qartë, aplikimi në raundin e parë është garancia më e sigurt për të ardhmen akademike.


