SHQIPËRIA, PROGRES DREJT BE/ Tre kapitujt e parë të negociatava pritet të mbyllen javën tjetër
Shqipëria pritet të mbyllë javën e ardhshme tre kapitujt e parë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke shënuar një tjetër etapë të rëndësishme në procesin e integrimit evropian.
Sipas agjencisë rajonale të lajmeve DTT, me propozim të Presidencës irlandeze të Këshillit të Bashkimit Evropian, ambasadorët e 27 vendeve anëtare kanë nisur diskutimet për miratimin e vendimit.
Bëhet fjalë për Kapitullin 25 – Shkenca dhe Kërkimi Shkencor, Kapitullin 26 – Arsimi dhe Kultura dhe Kapitullin 30 – Marrëdhëniet me Jashtë.
Mbyllja e këtyre kapitujve nënkupton se Bashkimi Evropian vlerëson se Shqipëria ka përmbushur standardet dhe reformat e kërkuara në këto fusha, duke hedhur një tjetër hap konkret drejt anëtarësimit të plotë në Union.
Progresi i Shqipërisë në rrugën drejt BE-së është vlerësuar së fundmi edhe nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, si edhe nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas.
Qeveria shqiptare ka shpallur si objektiv mbylljen e të gjithë kapitujve të negociatave brenda dy viteve të ardhshme, me synimin që vendi të bëhet anëtar me të drejta të plota i Bashkimit Evropian në vitin 2030.
Më 14 korrik, gjatë mbledhjes së ministrave të Çështjeve Evropiane, edhe Mali i Zi pritet të mbyllë dy kapituj të tjerë të negociatave, përkatësisht Kapitullin 8 – Konkurrenca dhe Kapitullin 29 – Bashkimi Doganor.
Në të njëjtën ditë, edhe Moldavia dhe Ukraina pritet të hedhin një hap tjetër drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke hapur grupet e para të kapitujve negociues.


