NGJARJA E FIERIT/ Institucionet apel medieve dhe qytetarëve: Mos shpërndani pamjet e të miturës

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka reaguar dhe shprehur shqetësim të thellë për rastin e bërë publik në media dhe rrjete sociale, ku pamjet e publikuara tregojnë ushtrim dhune ndaj një të miture, si dhe filmimin dhe shpërndarjen e këtij akti në hapësirën publike online.

Në reagimin zyrtar, KMD dënon çdo formë dhune, poshtërimi, bullizmi, nxitjeje të urrejtjes apo sjelljeje denigruese ndaj fëmijëve dhe të rinjve. “Asnjë konflikt, situatë personale apo marrëdhënie shoqërore nuk mund të justifikojë dhunën fizike, psikologjike apo ekspozimin publik të viktimës”.

“Në raste të tilla, është thelbësore që institucionet përgjegjëse të veprojnë me shpejtësi, profesionalizëm dhe në respekt të interesit më të lartë të fëmijës, duke garantuar mbrojtje, mbështetje psikologjike dhe trajtim të përshtatshëm për të gjithë të miturit e përfshirë”, thuhet në deklaratën e KMD.

Komisioneri bën thirrje që këto pamje të mos shpërndahen më tej, pasi ripublikimi i tyre rrezikon riviktimizimin e fëmijës dhe cenon dinjitetin e saj.

Lidhur me këtë rast, ka reaguar edhe kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), Armela Krasniqi duke u bërë thirrje mediave dhe publikut të mos kontribuojnë në përhapjen e këtyre pamjeve. “Duke pasur parasysh se shpesh, materiale të tilla nga rrjetet sociale e platformat online, përfundojnë edhe në ekranet televizive, qoftë edhe duke mbajtur qëndrime mospajtuese me aktet e dhunës dhe bullizimin, ju bëj thirrje redaksive që të tregohen profesioniste dhe me etikë në pasqyrimin e kësaj ngjarjeje të rëndë dhe shqetësuese për opinionin publik”.

Krasniqi thekson se rasti nuk duhet të përdoret për sensacionalizëm apo për të tërhequr klikime, por se prioritet duhet të jetë mbrojtja e viktimës. “Pritmëria është që ky rast të mos përdoret për sensasion a qëllim “klikimi”, por të tregohet kujdes për të mbrojtur viktimën e dhunës nga identifikimi, të udhëhiqen nga parimi i interesit më të lartë të fëmijës dhe nga detyrimi ligjor për garantimin e privatësisë dhe mbrojtjen e identitetit të të miturve të përfshirë në ngjarje”.

Gjithashtu, vetëm gjatë ditës së djeshme pas ankesave të qytetarëve, AMA në bashkëpunim me platformën TikTok, kanë raportuar dhe bllokuar tre video që përmbanin skena të dhunës, ndërsa materiale të tjera vijojnë të jenë në proces shqyrtimi nga platforma.

EMISIONET