Pinoku 145-vjeçar në ekspozitën e qendrës “Sotir Kolea”

Pinoku 145-vjeçar në ekspozitën e qendrës “Sotir

Në sallën italiane të qendrës “Sotir Kolea” u çel sot ekspozita tematike “Pinoku-145 vjet”.

Siç e thotë dhe titulli, ekspozita vjen në përvjetorin e 145-të të botimit të kësaj kryevepre të letërsisë botërore, një nga librat më të përkthyer dhe më të dashur të të gjitha kohërave.

Ekspozita, e cila do të qëndrojë e hapur për publikun gjatë kësaj jave, ofron botime të hershme, histori editoriale dhe udhëtimin e një prej personazheve më të dashur të letërsisë për fëmijë. “Aventurat e Pinokut” u shkrua nga Carlo Collodi, gazetar dhe shkrimtar (1826-1890). Historia u botua fillimisht me pjesë, në vitin 1881, ndërsa si libër, në vitin 1883.

Personazhi kryesor, Pinoku, është një kukull prej druri që dëshiron të bëhet djalë i vërtetë. Atij i duhet të përballet me tundime e sprova, të gabojë e të mësojë si të dallojë të mirën nga e keqja. Libri është përkthyer në qindra gjuhë dhe dialekte dhe konsiderohet një nga veprat më të përkthyera në botë. Ai është botuar në miliona kopje dhe vazhdon të lexohet nga breza të tërë duke frymëzuar filma, seriale, shfaqje teatrale, opera, balet dhe ilustrime të panumërta.

Megjithëse 145-vjeçar, Pinoku vazhdon të jetë një simbol universal i fëmijërisë, i sinqeritetit dhe i vlerave morale. 

EMISIONET