Pamja e saj të mahnit, por veterinerët japin alarmin/ Pse shumë njerëz presin me vite për këtë mace të rrallë

Me pamjen e saj të veçantë dhe karakterin e qetë, Lambkin është një nga racat më të rralla të maceve në botë. Megjithatë, përtej pamjes që tërheq menjëherë vëmendjen, kjo mace shoqërohet edhe me shqetësime shëndetësore, ndërsa gjetja e një koteleje mund të zgjasë me vite.
Lambkin, e njohur edhe si Nanus Rex, është krijuar nga kryqëzimi i racës Munchkin, e cila dallohet për këmbët e shkurtra, me Selkirk Rex, e njohur për qimet kaçurrela dhe të buta.
Pikërisht kjo pamje i ka dhënë emrin Lambkin, pasi qimet e saj ngjasojnë me leshin e një qengji.
Kjo racë arrin zakonisht një lartësi prej 18 deri në 20 centimetra, peshon nga 2 deri në 4 kilogramë dhe ka jetëgjatësi rreth 12 deri në 15 vjet.
Lambkin njihet si një mace e qetë, miqësore dhe e dashur, që përshtatet lehtësisht me familjet, fëmijët dhe kafshët e tjera shtëpiake. Ajo krijon lidhje të fortë me pronarin dhe pëlqen të kalojë kohë pranë njerëzve.
Megjithatë, rrallësia e racës dhe debatet për shumimin e saj bëjnë që shumë persona të presin për vite për të gjetur një kotele. Një pjesë e mbarështuesve shmangin rritjen e kësaj race për shkak të problemeve shëndetësore që lidhen me mutacionin gjenetik të trashëguar nga Munchkin.
Këmbët e shkurtra kufizojnë aftësinë e saj për të kërcyer, ndaj rekomandohet kujdes nëse jeton me qen të mëdhenj ose kafshë shumë energjike, për të shmangur dëmtimet gjatë lojës.
Sa i përket ushqimit, Lambkin ka nevojë për dietë cilësore dhe të pasur me proteina, ndërsa në rast alergjish ose nevojash të veçanta rekomandohet konsultimi me veterinerin.
Raca mëson shpejt përdorimin e kutisë së rërës, lojëra të thjeshta dhe disa komanda, ndërsa qimet kaçurrela kërkojnë krehje të rregullt për të shmangur ngatërrimin.
Shqetësimi kryesor lidhet me shëndetin. Veterinerët paralajmërojnë se mutacioni që shkakton këmbët e shkurtra mund të lidhet me probleme si osteoartriti, lordoza, deformimet e kraharorit, sëmundjet e traktit urinar, hipertiroidizmi, pankreatiti dhe çrregullime të tjera.
Për këtë arsye, para se të merret një Lambkin, këshillohet që pronarët e ardhshëm të informohen për historikun shëndetësor të prindërve të saj dhe ta zgjedhin vetëm nga mbarështues të përgjegjshëm. Edhe pse pamja e saj është e veçantë, kujdesi dhe përgjegjësia mbeten po aq të rëndësishme sa dëshira për ta pasur në shtëpi.


