Trump qetëson aleatët e NATO-s: Ne duam të qëndrojmë me ju. Miratohen mbi 50 miliardë dollarë kontrata për mbrojtjen

Trump qetëson aleatët e NATO-s: Ne duam të qëndrojmë me

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u ka dhënë garanci aleatëve se SHBA-ja do të vazhdojë të jetë pjesë e NATO-s, duke përcjellë një mesazh për vazhdimësinë e angazhimit amerikan në Aleancën Atlantike.

Sipas burimeve të cituara nga Reuters, gjatë takimit me dyer të mbyllura të liderëve në samitin e NATO-s, Trump u është drejtuar homologëve të tij me fjalët: "Ne duam të qëndrojmë me ju".

Gjatë mbledhjes, ai bëri të ditur se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të vazhdojnë furnizimin me armë për vendet aleate. Burimet thanë se në takim nuk u fol për përfundimin e marrëveshjes së përkohshme të armëpushimit me Iranin, ndërsa nuk u përmend as çështja e Groenlandës.

Pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Atlantikut të Veriut, Trump mori sërish fjalën dhe, sipas një burimi aleat të cituar nga ANSA, u shpreh se ishte "shumë i impresionuar" nga qëndrimet e liderëve të NATO-s.

"E ndjeva dashurinë në këtë dhomë", ishte komenti i presidentit amerikan, i cili shtoi se do të kishte dashur që edhe mediat të ishin të pranishme për të parë atmosferën e takimit.

Në deklaratën përfundimtare të samitit, krerët e shteteve dhe qeverive të NATO-s njoftuan miratimin e mbi 50 miliardë dollarëve kontrata të reja në sektorin e mbrojtjes.

Aleatët ranë dakord të rrisin kapacitetet e përbashkëta të prodhimit ushtarak dhe të forcojnë bashkëpunimin me industrinë e mbrojtjes për të përshpejtuar zhvillimin teknologjik. Dokumenti parashikon gjithashtu punë për heqjen e barrierave tregtare në sektorin e mbrojtjes dhe zgjerimin e partneriteteve industriale mes vendeve anëtare.

Në deklaratën finale u riafirmua angazhimi ndaj nenit 5 të Traktatit të Uashingtonit, sipas të cilit një sulm ndaj një vendi anëtar konsiderohet sulm ndaj të gjithë aleancës.

"Një sulm ndaj njërit është sulm ndaj të gjithëve. Uniteti, solidariteti dhe forca jonë kolektive mbeten themeli i paqes, sigurisë dhe prosperitetit për rreth një miliard qytetarë të vendeve të NATO-s", thuhet në dokumentin përfundimtar.

Liderët konfirmuan gjithashtu se aleanca do të vazhdojë të ndjekë një qasje 360-gradëshe për forcimin e aftësive parandaluese dhe mbrojtëse përballë sfidave të sigurisë globale.

EMISIONET