Netanyahu mbështetet te senatorë dhe opinionistë amerikanë për të ndikuar negociatat SHBA-Iran

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po kërkon të ndikojë në përmbajtjen e marrëveshjes përfundimtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, duke përdorur ligjvënës amerikanë me qëndrime pro-Izrael dhe disa figura të medias për të ushtruar presion mbi presidentin Donald Trump, raporton CNN duke iu referuar një burimi izraelit.
Sipas raportimit, Netanyahu ka shprehur prej kohësh dyshime mbi qëllimet e Iranit në bisedimet me SHBA-në dhe mendon se Teherani nuk është i gatshëm të pranojë kufizime reale në programin e tij bërthamor. Po ashtu, ai beson se një marrëveshje përfundimtare mes dy vendeve mund të mos realizohet.
Ndërkohë, me nisjen e një periudhe 60-ditore negociatash pas një memorandumi mirëkuptimi të nënshkruar nga Donald Trump dhe Irani, sipas raportimeve Netanyahu po përpiqet të rrisë ndikimin në opinionin publik amerikan.
Ai synon të mbështetet te figura të njohura të krahut të djathtë në SHBA, përfshirë komentatorë dhe podkasterë pro-Izrael, për të forcuar mesazhin e tij kundër marrëveshjes.
Në këtë debat është përfshirë edhe komentatori Mark Levin, i cili ka kritikuar marrëveshjen dhe ka vënë në dyshim fondin e rindërtimit të Iranit.
Nga ana tjetër, disa senatorë amerikanë që më herët kanë mbështetur qëndrime më të ashpra ndaj Iranit, përfshirë Lindsey Graham, kanë ndryshuar qëndrim, duke e cilësuar një marrëveshje të mundshme si të dobishme për Shtetet e Bashkuara, çka e bën më të vështirë përpjekjen për të ndikuar në proces.


