Metani: Kullat në Shqipëri po ndërtohen me paratë e dr*gës dhe foreksit, institucionet po i mbrojnë

Raportet ndërkombëtare kanë ngritur alarmin për fuqizimin e ndjeshëm të krimit të organizuar shqiptar, si brenda ashtu edhe jashtë kufijve të vendit.

Kjo rritje e kriminalitetit duket se është e lidhur ngushtë me atë që cilësohet si një qasje favorizuese e vetë institucioneve shtetërore ndaj pastrimit të parave.

I ftuar në studion e lajmeve në "Ora News", ishte eksperti i sigurisë, Gert Metani, i cili dha një analizë të situatës ku tregoi se institucionet kyçe, të cilat duhet të jenë në vijën e parë të luftës kundër këtij fenomeni, po tregojnë një pasivitet të rrezikshëm.

Organet ligjzbatuese dhe ato ekonomike, duke përfshirë Bankën e Shqipërisë dhe Shërbimin Informativ Shtetëror, ndonëse hartojnë raporte vjetore, nuk ndërmarrin goditje të drejtpërdrejta. E njëjta situatë paraqitet edhe në sistemin e drejtësisë, nga prokuroritë dhe gjykatat e deri tek institucionet e reformuara si KLP dhe KLGJ.

"Mendoj se organet ligjzbatuese në vetvete kanë pasur një qasje pro pastrimit të parave në territorin shqiptar.

Kur flas për organet ligjzbatuese po edhe përtej tyre dhe organet ekonomike si Banka e Shqipërisë, shërbimi informativ shtetëror, i cili pavarësisht raporteve vjetore që i nxjerr nuk bën goditje të drejtpërdrejtë, organet e tjera si prokuroritë, gjykatat, sistemi gjyqësor i reformuar me KLP-në dhe me KLGJ-në, policia e shtetit që shpesh herë gjendet e përfshirë dhe e implikuar në këto transaksionet e dyshimta, mbrojtjen e kriptovalutave, foreksit, pra mashtrimet me qytetarët europianë, ose me dërgesat e lëndëve narkotike, pra të gjitha bashkë këto kanë sjellë një qasje pro pastrimit të parave në sektorin e ndërtimit dhe ne e shikojmë që në momentin e parë që del projekti i një kulle që është shumë e bukur, të gjithë e presin me dëshirë, por dhe me dyshim, që nëse do të goditet pronari apo personi që është investitor kryesor, ajo kullë mbetet në mes, sepse shumica e dinë që këto persona përmes linjës së Amerikës Latine, bëjnë trafikimin e lëndëve narkotike", u shpreh Metani.

EMISIONET