Kush e dominoi mbledhjen e dy qeverive? Beqa: Rama edhe për nga vëllimi zë më shumë hapësirë
Kryeministri Rama e dominoi sot skenën në mbledhjen mes qeverisë së tij dhe asaj të Albin Kurtit.
Foli për vëllezërit Vuçiç e Kurti, Ballkanin e Hapur, pati një deklaratë edhe për qentë që lehin por karvani ecën përpara.
Por a ishte ky një pajtim real ky mes dy vëllezërve, apo Rama dhe Kurti kishin vënë vellon e hipokrizisë për të fshehur mospajtimet mes tyre?
Mentor Beqa, studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare, në një intervistë për Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma thotë se politika shquhet për hipokrizi por në mbledhjen e dy qeverive kjo ishte më e dukshme.
Beqa: Politika e përmban hipokrizinë por në këtë rast bie në sy se kemi një hipokrizi dhe më të theksuar veçanërisht në marrdhënien e tensionuar e cila është e dukshme mes kryeminisrtrit Rama dhe kryeministrit Kurti. Kryeministri i Shqipërisë dhe në pikëpamje të vëllimit zë më shumë hapësirë kështu që do e dominonte në pikëpamje skenike takimin.Kryeministri i Shqipërisë ka një retorikë primitive. Retorika e tij e sulmeve vend e pa vend për të gjithë kundërshtarët e tij politikë, e përmendjes së një fjalori deri vulgar me qenë e kështu me radhë, nuk i shkon staturës së një kryeministri, veçanërisht në një mbledhje kaq solemne siç është mbledhja mes dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës. Në pikëpamje të komportimit publik padyshim do vlerësoja zotin Kurti, i cili ka mbajtur një qëndrim shumë më të përmbajtur dhe dinjitoz.