La Vanguardia "dashurohet" me Rivierën Shqiptare, media spanjolle: Nga Vlora në Ksamil, bregdeti që po mahnit Mesdheun
Bregdeti shqiptar po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në mediat ndërkombëtare. Prestigjiozja spanjolle La Vanguardia e përshkruan Rivierën Shqiptare si një ndërthurje mes bukurisë natyrore dhe zhvillimit turistik.
Artikulli thekson se Shqipëria ofron mbi 400 kilometra vijë bregdetare, ku plazhet me rërë të Adriatikut dhe brigjet me guralecë të Jonit krijojnë një larmi peizazhesh që tërheqin çdo vit gjithnjë e më shumë turistë.
Krahas ujërave të kristalta dhe gjireve të fshehura, media spanjolle vëren edhe ritmin e gjallë të jetës verore, me bare plazhi, aktivitete ujore dhe një turizëm në rritje.
Udhëtimi nis nga Vlora, e cilësuar si porta e Rivierës Shqiptare, me shëtitoren e saj bregdetare dhe afërsinë me Lagunën e Nartës, ku vizitorët mund të vëzhgojnë flamingot dhe mbi njëqind lloje shpendësh. Po ashtu, vlerësohen Gadishulli i Karaburunit dhe ishulli i Sazanit, të cilët ofrojnë plazhe të izoluara dhe natyrë të paprekur.
Në vijim, artikulli ndalet te Dhërmiu, Gjiri i Gjipesë, Jala dhe Himara, të cilat krahasohen me disa nga destinacionet më të bukura të Mesdheut. Sipas autores, Himara ruan atmosferën e një qyteti tradicional bregdetar, ndërsa Porto Palermo veçohet për kalanë historike të lidhur me Ali Pashë Tepelenën dhe historinë e saj shumëvjeçare.
Pjesa jugore e rivierës, nga Saranda deri në Ksamil, përshkruhet si zona më dinamike e bregdetit shqiptar. Plazhet me ujëra të kthjellëta, Tre Ishujt e Ksamilit dhe afërsia me Butrintin e Korfuzin e kanë shndërruar këtë zonë në një nga destinacionet më të preferuara për turistët vendas dhe të huaj.
Në artikull vlerësohet edhe gastronomia shqiptare, ku përmenden peshku i freskët, midhjet, ngjalat e Lagunës së Nartës, gatimet tradicionale dhe rakia, si pjesë e identitetit kulinar të rivierës. Sipas La Vanguardia, Shqipëria po konsolidon imazhin e saj si një destinacion mesdhetar që kombinon natyrën, historinë, kulturën dhe mikpritjen, ndërsa synon një zhvillim turistik gjithnjë e më të qëndrueshëm.


