Korrupsioni në Shqipëri, fenomen strukturor/ Raporti i Helsinkit nxjerr në pah sektorët më të prekur
“Korrupsioni në Shqipëri nuk është thjesht një seri rastesh individuale apo shkeljesh të izoluara, por një fenomen strukturor dhe social, i rrënjosur si në dobësitë institucionale...”
Ky është përfundimi I një raporti ku Komiteti Shqiptar i Helsinkit ngre alarmin për gjendjen e korrupsionit në vend, dhe si shkaqe kryesore evidenton trajtimin e diferencuar, procedurat e ndërlikuara dhe mungesën e transparencës. Pesë sektorë rezultojnë më të ekspozuarit ndaj korrupsionit.
"Administrata publike në tërësi; Sistemi shëndetësor; Shërbimet sociale; Punësimi në sektorin publik; Sistemi i drejtësisë."
Sipas raportit, vetëm 10% e qytetarëve raportojnë përvoja vazhdimisht pozitive me institucionet, ndërsa 65% i vlerësojnë ato negativisht. Një vëmendje e veçantë i kushtohet sistemit të drejtësisë.
“Një nga rreziqet më serioze në këtë sektor është korrupsioni politik, ku afërsia politike dhe norma sociale e klientelizmit mund të ndikojnë në vendimmarrje, duke cenuar pavarësinë dhe paanshmërinë e gjyqësorit, si dhe trajtimin e barabartë të qytetarëve.”
Raporti thekson se në sistemin e drejtësisë korrupsioni shfaqet edhe përmes vonesave procedurale, mungesës së informacionit dhe trajtimit selektiv të qytetarëve.
Tirana, Shkodra, Fieri dhe Elbasani identifikohen si bashkitë më problematike, ku evidentohen burokracia, mungesa e transparencës, favorizimi përmes lidhjeve personale, pagesat informale, veçanërisht në shëndetësi, si dhe problematika në ofrimin e shërbimeve sociale.
Përballë këtyre gjetjeve, Komiteti Shqiptar i Helsinkit rekomandon kalimin nga një qasje ndëshkuese në një qasje parandaluese, forcimin e mbrojtjes së grupeve vulnerabël, si dhe rritjen e mekanizmave të vetëqeverisjes, llogaridhënies dhe mbikëqyrjes institucionale.
