SHBA bllokon importet nga kompanitë kineze në Serbi / Dyshime për punë me detyrim, Beogradi hesht

SHBA bllokon importet nga kompanitë kineze në Serbi / Dyshime

Autoritetet amerikane kanë vendosur kufizime ndaj importeve të bakrit dhe gomave të automjeteve nga dy kompani kineze që operojnë në Serbi, mes dyshimeve për punë me detyrim dhe shkelje të të drejtave të punëtorëve.

Agjencia Amerikane e Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit ka ndaluar importin e produkteve të bakrit nga kompania Zijin Copper Serbia, ndërsa më herët kishte ndërmarrë të njëjtën masë edhe ndaj gomave të prodhuara nga kompania Linglong.

Sipas autoriteteve amerikane dhe organizatave ndërkombëtare të të drejtave të punëtorëve, ekzistojnë pretendime serioze për mosdhënie pagash, konfiskim të dokumenteve personale, kufizim të lirisë së lëvizjes dhe punë të detyruar jashtë orarit në këto kompani.

Pavarësisht akuzave, institucionet serbe nuk kanë reaguar publikisht lidhur me hetimet e mundshme. Organizata joqeveritare Astra ka kërkuar nga autoritetet që të hetojnë menjëherë pretendimet dhe të sigurojnë mbrojtjen e punëtorëve, pavarësisht shtetësisë së tyre.

Nga ana tjetër, presidenti serb Aleksandar Vuçiq është fokusuar te pasojat ekonomike të vendimit amerikan, duke deklaruar se shteti do të ndihmojë kompaninë Zijin Copper për të zgjidhur problemet me eksportet.

Ndërkohë, organizata China Labor Watch ka bërë të ditur se prej vitit 2022 ka dokumentuar raste të shumta të punës me detyrim në kompanitë kineze në Serbi, bazuar në intervista me më shumë se 100 punëtorë dhe materiale të mbledhura në terren.

Zijin Copper dhe Linglong konsiderohen ndër investitorët dhe eksportuesit më të mëdhenj në Serbi, ndërsa rasti ka nxitur debate të reja mbi kushtet e punës dhe ndikimin e investimeve kineze në vend./REL

EMISIONET