Takim në Tiranë, Kryepolici Hita dhe Ambasadori Ventura rrisin bashkëpunimin për operacionet kundër krimit ndërkombëtar

Takim në Tiranë, Kryepolici Hita dhe Ambasadori Ventura rrisin

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, mirëpriti në ambientet e DPPSh-së Ambasadorin Ventura, të shoqëruar nga Atasheu i Ministrisë së Brendshme të Spanjës dhe nga Oficeri Ndërlidhës pranë Ambasadës së Spanjës në Tiranë.

Gjatë takimit u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera dhe partneriteti strategjik i ndërtuar ndër vite ndërmjet dy vendeve në fushën e sigurisë, duke vënë theksin te mekanizmat efektivë dhe konkretë si operacioni “Nomada” dhe Skuadra e Përbashkët Hetimore, me rezultate të prekshme në luftën kundër trafikimit të narkotikëve dhe armëve të zjarrit, si dhe lëvizjes së paligjshme të emigrantëve.

Drejtori Hita konfirmoi vendosmërinë e Policisë së Shtetit për ta intensifikuar këtë bashkëpunim, përmes rritjes së numrit të operacioneve të përbashkëta dhe zgjerimit të shkëmbimit të informacionit në kohë reale.

Gjithashtu, ai vuri theksin te bashkëpunimi ndërmjet Akademisë së Sigurisë dhe Shkollës Kombëtare të Policisë së Spanjës, i cili do të shërbejë për modernizimin e mësimdhënies dhe trajnimin profesional të brezit të ri të efektivëve me metoda dhe kurrikula bashkëkohore.

Ndërkohë, Ambasadori Ventura shprehu mirënjohje për mikpritjen dhe vlerësoi angazhimin e Policisë së Shtetit si një partner i besueshëm në rajon. Ai konfirmoi gjithashtu gatishmërinë e autoriteteve spanjolle për të intensifikuar bashkëpunimin me Policinë e Shtetit në fusha të tjera, me objektivin e përbashkët goditjen e krimit ndërkombëtar dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve.

EMISIONET