KONTROLLE NË PISHINA/ ISHSH intensifikon verifikimet gjatë sezonit turistik veror

Në kuadër të përgatitjeve për sezonin turistik 2026, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, dega rajonale Tiranë, ka intensifikuar kontrollet në subjektet që operojnë në sektorin e hoteleri-turizmit, pishinave dhe beach bareve.

Kontrollet po zhvillohen në zbatim të urdhrit për monitorimin e të gjitha pishinave, me qëllim verifikimin e kushteve higjieno-sanitare dhe garantimin e sigurisë shëndetësore për pushuesit.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale bën të ditur se inspektimet synojnë të sigurojnë që subjektet turistike të respektojnë kërkesat ligjore gjatë sezonit veror.

Sipas ISHSH-së, gjatë kontrolleve në terren janë evidentuar raste të mosrespektimit të legjislacionit në fuqi. Për shkeljet e konstatuara janë vendosur masat administrative përkatëse ndaj subjekteve përgjegjëse.

Institucioni thekson se prioritet mbetet krijimi i kushteve të sigurta për qytetarët dhe turistët, duke reduktuar rreziqet që lidhen me higjienën dhe shëndetin publik.

Për këtë arsye është ngritur një grup i posaçëm inspektimi që kryen kontrolle të përditshme dhe qëndron në gatishmëri për të trajtuar ankesat dhe denoncimet e qytetarëve gjatë gjithë sezonit turistik.

 

EMISIONET