Helmimi i 64 studentëve të Akademisë së Sigurisë/ Policia sekuestron dokumentet e AKU-së për kompaninë “SORI-Al”
Dy ditë pasi të paktën 60 studentë të Policisë së Shtetit u helmuan në mensën e Akademisë së Sigurisë, policia dhe prokuroria kanë kryer veprimet hetimore, si sekuestrimi i kartelave mjekësore të studentëve apo dërgimi në laborator i mostrave ushqimore.
Po ashtu, veprime hetimore ka kryer edhe Krimi Ekonomik në Drejtorinë e Tiranës, i cili ka sekuestruar pranë AKU-së gjithë dokumentacionin që disponon ky institucion sa i takon kontrolleve që janë ushtruar për subjektin Sori-Al, në pronësi të Alma Tafanit.
Më konkretisht, hetuesit e Krimit Ekonomik do të shqyrtojnë të gjithë dokumentacionin e AKU-së që nga janari e deri tani, për të parë nëse kompania që shërben ushqimet pranë Akademisë është kontrolluar sipas ligjit, që nga fillimi i janarit, kur një grup studentësh u helmuan, deri te rasti i fundit i ndodhur dy ditë më parë.
Tashmë, duke qenë se Prokuroria e Tiranës po heton edhe rastin e parë dhe të dytë, prokuroria i ka bashkuar në një dosje të vetme, ku e dyshuar vijon të mbetet Alma Tafani, administratorja e kompanisë.
Kjo e fundit është marrë në pyetje nga efektivët e Komisariatit nr. 1 në Tiranë, ku ka deklaruar se furnizimi me ushqim për studentët është kryer çdo ditë në përputhje me kontratën, ndërsa ka theksuar se përgatitja dhe shpërndarja e vakteve janë realizuar sipas procedurave standarde dhe duke respektuar kushtet e higjienës.
Në pyetje gjithashtu janë marrë kuzhinieri, stafi tjetër që bën ndarjen e ushqimit në porcione për studentët, stafi i shpërndarjes, si dhe studentët e helmuar.


