Fluks i jashtëzakonshëm në Morinë/ Mbi 14 mijë persona 'vërshojnë' drejt Shqipërisë brenda 12 orëve për pushimet verore

Pika kufitare e Morinës po përjeton një fluks të lartë lëvizjesh, ndërsa mijëra pushues nga Kosova dhe vendet e rajonit kanë zgjedhur Shqipërinë për të kaluar pushimet verore.
Sipas të dhënave zyrtare, nga ora 20:00 e mbrëmjes deri në orën 08:00 të mëngjesit të sotëm kanë hyrë në Shqipëri 12 mijë e 642 shtetas të huaj dhe 1 mijë e 471 shtetas shqiptarë, ndërsa gjatë kësaj periudhe kufirin e kanë kaluar edhe 119 autobusë.
Në të njëjtën kohë, daljet nga territori shqiptar kanë qenë dukshëm më të ulëta. Gjatë 12 orëve të fundit, përmes pikës kufitare të Morinës kanë dalë 1 mijë e 887 shtetas.
Shumë prej pushuesve zgjedhin bregdetin shqiptar për afërsinë me Kosovën, çmimet e përballueshme dhe plazhet.
Pavarësisht numrit të lartë të udhëtarëve, në pikën kufitare nuk janë krijuar radhë dhe procedurat e kalimit vijojnë normalisht, edhe falë marrëveshjes për lëvizjen e lehtësuar mes Shqipërisë dhe Kosovës.


