VROJTUESIT, DOMOSDOSHMËRI NË PLAZHE/ Metaj: Mungesa e sinjalistikës dhe vrojtuesve rrit rrezikun në plazhe
Rastet e mbytjeve në vend, ku mes viktimave ka pasur edhe fëmijë, rikthejnë në vëmendje rëndësinë e sigurisë në plazhe. Ekspertët kërkojnë rritjen e masave mbrojtëse, ndërsa ngrenë shqetësimin se shumë plazhe publike vijojnë të mos kenë vrojtues dhe sinjalistikën e nevojshme.
Sezoni turistik ka sjellë një fluks të lartë pushuesish në bregdetin shqiptar, por edhe raste tragjike të mbytjeve.
Sipas sekretares së përgjithshme të Federatës Shqiptare të Vrojtuesve të Plazhit dhe Shpëtimit në Ujë, Eni Metaj, prania e vrojtuesve të plazhit është një domosdoshmëri për parandalimin e ngjarjeve të rënda.
Sipas Metajt, sektori privat është në një situatë më të mirë, megjithëse mbetet problem garantimi i pranisë së vazhdueshme të vrojtuesve në vendin e punës gjatë gjithë sezonit.
Për të, më shqetësuese është situata në plazhet publike, ku, sipas Federatës, në shumë raste mungojnë vrojtuesit, sinjalistika dhe pajisjet e nevojshme të shpëtimit.
Metaj u bën thirrje bashkive dhe institucioneve përgjegjëse për administrimin e plazheve publike të marrin masa të menjëhershme për garantimin e sigurisë së pushuesve.
Ajo apelon gjithashtu që qytetarët të zgjedhin plazhe ku ofrohet shërbimi i vrojtimit, të respektojnë sinjalistikën dhe të shmangin zonat e pambikëqyrura, për të parandaluar tragjedi gjatë sezonit veror.


