Karaj: Vendimi unifikues i Gjykatës së Lartë i jep fund praktikës së "arrestit me burg" si masë automatike!

Avokati Leonard Karaj, në një intervistë për “Ora News”, u shpreh se problemi i masës së sigurisë "arrest me burg" nuk ka qenë mungesa e ligjit, por moszbatimi i tij nga gjykatat.

Sipas tij, një vendim unifikues i Gjykatës së Lartë që prej vitit 2011 i detyronte gjyqtarët të arsyetonin në mënyrë të detajuar vendosjen e kësaj mase, por në praktikë kjo nuk ka ndodhur.

Karaj akuzoi gjyqtarët se në shumë raste janë sjellë si "noterë të prokurorisë", duke miratuar automatikisht kërkesat për arrest me burg, pa ushtruar rolin e tyre kushtetues.

Ai shtoi se kjo qasje u forcua pas vitit 2014, duke e lidhur me klimën politike të kohës dhe retorikën e qeverisë së drejtuar nga Edi Rama, ku, sipas tij, u krijua një kulturë që favorizonte burgosjen si zgjidhje të parë.

Avokati vlerësoi se vendimi më i fundit unifikues i Gjykatës së Lartë, tashmë i zbardhur, u heq çdo alibi gjyqtarëve për të miratuar automatikisht kërkesat e prokurorisë.

Sipas Karajt, nëse Shqipëria synon standardet evropiane të drejtësisë, gjykata duhet të garantojë një proces të barabartë mes prokurorisë dhe mbrojtjes, duke mos e lënë avokatin në një rol formal gjatë shqyrtimit të masave të sigurisë.

Leonard Karaj: Nuk është se ne kemi vuajtur nga fakti që s'kemi pas ligj në lidhje me masat shtrënguese. Ka pasur një vendim të Gjykatës së Lartë edhe të vitit 2011, për të cilën vendim unifikues e kam fjalën, për të cilën gjykatat e shkallëve të para dhe të Gjykatës së Apelit e ka pasur si një lloj detyrimi për ta zbatuar.

Fakti është se nuk e ka zbatuar asnjëherë sepse topin ja kanë lënë gjithmonë pjesës së avokatisë apo të palës e cila ishte, si të thuash palë e dëmtuar, ajo që kishte prezumuar, që i ishte bërë vepër penale. Ndërkohë që do të duhej që t'ia kishte lënë këtë gjë prokurorisë, sepse në rastin konkret është prokuroria ajo që ka ngritur akuzën dhe është prokuroria ajo që do të duhet që të vlerësojë përpara gjykatës se përse kërkon një masë sigurimi kaq të fortë, kaq të rëndë, sa ç'është ajo që është parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale arresti me burg.

Një gjë e tillë ka qenë në Kodin Penal, Kodin e Procedurës Penale, ka qenë në vendimin unifikues, çuditërisht nuk është zbatuar nga ana e gjykatave dhe e gjyqtarëve. Arsyet pse kjo gjë nuk është zbatuar për mendimin tim qëndron sa tek paaftësia e gjyqtarëve, sa tek mveshtësia e tyre për t'u bërë noter të prokurorisë, në shumë raste pohuajse kanë qenë të tillë, dhe unë çuditem domethënë se pse këta gjyqtarë ja kanë ulur le të themi pozicionin ose institucionalitetin që ka gjyqtari në vetvete, të ruajtur me ligj dhe në fund të ditës edhe për shkak domethënë të qasjes sociale,.

 Të kujtoj se ka pasur një ndryshim drastik në mënyrën se si ka operuar gjykata nga viti 2014-2015 e këtej. Kjo lidheshe me kulturën politike e cila u mboll në asokohe nga ana e kryeministrit të asokohe dhe kryeministrit aktual, zotit Rama. Po ta kujtoni fort mire, nën petkun e reformave të mëdha shtetformuese të Edi Ramës, fjala, burg ishte si të thuash domethënë, mëngjes, drekë, darkë. Dhe kjo ishte ajo që induktoi edhe frymën, në pak fjalë, të gjyqtarëve.

Aq sa asokohe, Edi Rama guxonte aq sa të shkonte dhe të merrte në telefon gjyqtarë të ndryshëm nga Veriu në Jug, duke u kërkuar atyre llogari se pse ata nuk kishin çuar në burg një pensionist apo një qytetar i cili rronte, jetonte me ndihmë ekonomike sepse nuk kishte paguar faturën e dritave. Pra, historira të këtij tipi në kohën e Edi Ramës ne i kemi pasur. Këtu nuk dua të heq një vijë të mesme midis asaj të zotit Berisha dhe të zotit Rama, por realisht po e them me profesionalizëm, kjo ka ndodhur gjatë periudhës së zotit Rama dhe gjykata kështu ka operuar.

Vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë, vendimi unifikues i cili sapo është zbardhur sepse duhet thënë, edhe pse është le të themi trasmetuar ose publikuar nga ana e Gjykatës së Lartë që prej majit të këtij viti, nuk është vënë në operim sepse gjykatat kanë pritur domethënë që kjo gjë të ndodhin edhe në versionin e shkruar pra të arsyetuar. Atëherë fakti është domethënë që kjo heq çdo lloj alibie tashmë të gjyqtarëve, të gjykatës, që të ngrenë dorën si në allçi për çfarëdo lloj gjëja që kërkon prokuroria. Dhe unë këtë nuk e them sepse jam pala tjetër, pra jam pala e avokatisë dhe dua të mbroj profesionin që të cilin unë përfaqësoj ose palën që unë përfaqësoj.

Jo! Në qoftë se neve do duam të shkojmë drejt Europës, dhe themi domethënë që kemi një sistem drejtësie i cili të paktën në sistemin penal, ka dhe avokatin dhe dhe prokurorin nga njëra anë dhe gjyqtarin në mes, avokati nuk mund të jetë orendi e  sallës së gjyqit. Pra, çfarë kërkon prokurori e bën gjykata, çfarë thotë avokati punë e madhe se s'po dëgjoj.

Kjo ka qenë historia dhe unë, unë dhe shumë kolegë të mi, modestisht e them këtë kemi vite, vite që e themi domethënë që gjykatat po operojnë si noterë të, të, të prokurorisë dhe ky është një gjë fatkeqe sepse vjen nga një lloj mendësie totalitare, ajo e sistemit komunist.

EMISIONET