Humbjet në arbitrazh, Open Data: Detyrimet në total, rreth 447 mln euro

Shqiptarët do të duhet të paguajnë edhe 300 milionë euro, më shumë nga sa thotë qeveria, për humbjen e gjyqeve të shtetit ndaj privative, kosto që në total përllogaritet rreth 447 milionë euro. Çështjet që janë në proces përbëjnë shqetësim për buxhetin e shtetit, pasi vetëm nga gjyqi për “Parkun Fotovoltaik” në Akërni kërkohen 110 milionë Euro dëmshpërblim.

Fatura e detyrimeve të arbitrazhit e raportuar nga Ministria e Financave kap vlerën e 109.5 milionë eurove por disa çështje të tjera të hapura në gjykatën ndërkombëtare rrezikojnë të sjellin kosto shtesë për buxhetin e shtetit nëse vendimi përfundimtar shkon në favor të palës paditëse.

Sipas të dhënave të përpunuara nga “Open Data” detyrimet mund të shtohen me rreth 300 milionë euro duke e çuar kështu totalin në rreth 447 milionë euro.

Vetëm gjatë vitit të kaluar janë regjistruar pranë Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve 3 çështje dhe fatura me e lartë lidhet me ndërtimin e “Parkut Fotovoltaik në Akërni.

Open Data raporton se kjo çështje ka nisur në Dhjetor të vitit 2020 nga kompania Arka Energy B.V, e cila ishte pjesëmarrëse në konsorciumin e shpallur fituese përmes një procedure tenderi ndërkombëtare, nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Sipas të dhënave të publikuara nga gjykata ndërkombëtare, dëmshpërblimi i pretenduar nga ky subjekt është 110 milionë Euro. Kompania Kurum Shipping kërkon gjithashtu një dëmshpërblim prej 100 milionë eurosh nga shteti shqiptar për prishjen e njëanshme të kontratës së terminalit të konteinerëve në Portin e Durrësit.

Një tjetër ndërprerje kontrate në mënyrë të njëanshme rrezikon t’i kushtojë shtetit shqiptar 90 milionë euro.

Edhe në këtë rast është Ministria eInfrastrukturёs dhe Energjisё e cila është paditur nga kompania Costruzioni DONDI & KUBOTA CO, pasi ka vepruar në kundërshtim me marrëveshjen e financimit. Në momentin e shkëputjes së kontratës, firma kontraktore rezulton se kishte kryer 70% të punimeve. Egziston gjithashtu një tjetër çështje për të cilën arbitrazhi ka shpallur fitues palën private me vlerë 37.4 milionë euro.

Bëhet fjalë për investitorin JV Copri Construction Enterprises, i cili ka ngritur pretendime për parregullsi të kostove shtesë dhe ndryshimeve të projektit. Bëhet fjalë për ndërimin në autostradën Tiranë- Elbasan. 

Ankesa u pranua nga dhoma ndërkombëtare e arbitrazhit mё 1 Shtator 2020 por kjo vlerё nuk ёshtё paraqitur ende nё publikimet e Ministrisё sё Financave dhe Ekonomisё, pavarësisht se është marrë vendimi final. Gjoba qe shqiptaret do te paguajnë  në  arbitrazh është më  e larta e arritur ndonjëherë nga humbjet e qeverive shqiptare në gjyqet ndërkombetare.

EMISIONET