Hita pret drejtuesit e Policisë italiane, në fokus bashkëpunimi kundër trafiqeve dhe krimit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, priti në një takim Drejtorin e Shërbimit për Bashkëpunimin Policor Ndërkombëtar të Policisë italiane, Drejtues i Lartë Lorenzo Bucossi, dhe Drejtorin e Shërbimit Qendror Operativ të Policisë së Shtetit italian, Drejtues i Lartë Marco Cali.
Gjatë takimit u vlerësua niveli shumë i lartë i bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Shtetit dhe autoriteteve policore italiane, si dhe rezultatet konkrete të arrira në luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit të narkotikëve, pastrimit të produkteve të veprës penale dhe kapjes së shtetasve në kërkim ndërkombëtar.
Një vlerësim i veçantë iu bë dhe funksionimit të skuadrave të përbashkëta hetimore. Për këtë aspekt, Policia shqiptare ka numrin më të madh të këtyre skuadrave me autoritetet italiane, tregues që dëshmon nivelin e lartë të besimit reciprok dhe efektivitetin e bashkëpunimit mes dy policive.
Po ashtu, palët vlerësuan bashkëpunimin e suksesshëm për monitorimin ajror dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, model i cili ka dhënë rezultate të prekshme dhe është vlerësuar gjerësisht nga partnerët ndërkombëtarë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që autoritetet italiane i kanë dhënë Policisë së Shtetit, ndër vite, si në aspektin operacional, ashtu edhe për ngritjen e kapaciteteve profesionale.
Në takim u vlerësua gjithashtu mbështetja e partnerëve italianë për Akademinë e Sigurisë, veçanërisht nëpërmjet përdorimit të literaturës profesionale italiane në programet mësimore, si dhe shkëmbimit të eksperiencave dhe praktikave më të mira në fushën e edukimit policor.
Palët riafirmuan angazhimin për forcimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik, rritjen e shkëmbimit të informacionit dhe zhvillimin e iniciativave të reja të përbashkëta për përballimin e sfidave të sigurisë me karakter ndërkombëtar.


