Digjet makina diplomatike bullgare në Shkup, reagon Bullgaria: U rrezikuan diplomatët tanë

Një person ende i paidentifikuar i vuri flakën një automjeti me targa diplomatike bullgare, i parkuar pranë Ambasadës së Bullgarisë në Shkup.
Si pasojë e zjarrit u dëmtua edhe një automjet i dytë, gjithashtu me targa diplomatike bullgare. Autoritetet e Maqedonisë së Veriut kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorit, i cili sipas mediave lokale dyshohet të jetë një i ri.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut reagoi menjëherë duke dënuar incidentin dhe duke e cilësuar atë si një akt të papranueshëm vandalizmi.
“Veprime të tilla përbëjnë një sulm ndaj sigurisë, marrëdhënieve diplomatike dhe të drejtës ndërkombëtare. Çdo përpjekje për të nxitur tensione, urrejtje apo pasiguri do të ndëshkohet me ashpërsinë më të madhe”, thuhet në deklaratën zyrtare.
Ngjarja vjen në një klimë të tensionuar mes dy vendeve. Në janar të këtij viti, një shtetas i Maqedonisë së Veriut dëmtoi hyrjen e Ambasadës Bullgare në Shkup, ndërsa më herët janë regjistruar sulme edhe ndaj qendrave kulturore bullgare në Manastir dhe Ohër.
Marrëdhëniet mes Shkupit dhe Sofjes kanë qenë të tensionuara prej vitesh, sidomos pas vetos së vendosur nga Bullgaria ndaj negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian. Edhe pse në vitin 2022 u arrit një kompromis i ndërmjetësuar nga BE-ja, mosmarrëveshjet mbi ndryshimet kushtetuese dhe njohjen e pakicës bullgare vazhdojnë të mbeten burim përplasjesh politike.
Edhe Ministria e Jashtme e Bullgarisë dënoi ashpër zjarrvënien, duke e cilësuar atë një akt agresioni të qëllimshëm.
“Ky sulm rrezikoi jetën dhe shëndetin e personelit të ambasadës. Pa ndërhyrjen e menjëhershme të konsullit bullgar me një fikës zjarri, pasojat mund të kishin qenë shumë më të rënda”, thuhet në reagimin e Sofjes.
Autoritetet bullgare kërkuan zbardhjen e shpejtë të ngjarjes dhe ndëshkimin e autorëve, duke argumentuar se sulmi është pasojë e retorikës agresive politike dhe e mungesës së reagimit të institucioneve ndaj incidenteve të mëparshme kundër komunitetit bullgar në Maqedoninë e Veriut.


