Fundi një tradite, Jakarta ndalon shfaqjet e majmunëve “valltarë”

Pas vitesh kritikash nga organizatat për mbrojtjen e kafshëve, autoritetet në Jakarta i kanë dhënë fund përfundimisht praktikës së përdorimit të majmunëve për shfaqje rrugore, të njohur si “dancing monkeys”.
Edhe pse ndalimi ishte miratuar që në vitin 2013, shfaqjet vazhduan për vite me radhë në mënyrë të fshehtë. Sipas mediave ndërkombëtare, autoritetet kanë forcuar zbatimin e ligjit, duke çuar në eliminimin e plotë të kësaj praktike.
Aktivistët për të drejtat e kafshëve kanë denoncuar prej kohësh kushtet e rënda ndaj majmunëve, të cilët shpesh merreshin nga natyra në moshë të vogël dhe stërviteshin me metoda të dhunshme për të kryer shfaqje në rrugë, pavarësisht lodhjes apo dëmtimeve fizike.
Organizatat e mbrojtjes së kafshëve e kanë cilësuar vendimin si një hap të rëndësishëm për mirëqenien e kafshëve, duke theksuar se zbatimi i ligjeve është thelbësor për t’i dhënë fund formave të shfrytëzimit dhe keqtrajtimit të tyre.
Mbyllja përfundimtare e këtij kapitulli në kryeqytetin indonezian konsiderohet një fitore e rëndësishme për mbrojtjen e kafshëve dhe përpjekjet për t’i kthyer ato në habitatet dhe kushtet e tyre natyrore.

