Grushte dhe intimidim, ja çfarë thotë policia e Durrësit për incidentet gjatë votimit

Grushte dhe intimidim, ja çfarë thotë policia e Durrësit

Policia e Durrësit ka dalë me njoftim lidhur me incidentet e regjistruara gjatë procesit të votimit në Durrës.

Në njoftimin për media thuhet se rreth orës 10:30, Komisioni i Qendrës së Votimit 1428-2, KZAZ Nr. 24, Durrës, bazuar në urdhrin nr. 62, të datës 03.05.2023, të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve,  me vendimin numër 13, ka kërkuar ndihmë nga Policia e Shtetit, për të larguar disa shtetas të paautorizuar që qëndronin në këtë Qendër Votimi dhe rrezikonin zhvillimin e rregullt të procesit të votimit. 

Shërbimet e Policisë, me marrjen e vendimit, kanë shkuar menjëherë në këtë Qendër Votimi dhe kanë larguar nga ambientet e kësaj Qendre, personat e paautorizuar dhe ata që pengonin zhvillimin e rregullt të procesit të votimit. 

Po me vendim të Komisionit të Qendrës së Votimit, pas normalizimit të situatës, punonjësit e Policisë janë larguar nga Qendra e Votimit.  

Ndërkohë, në Komisariatin e Policisë Durrës është paraqitur shtetasi Hekuran Markola i PS, i cili ka deklaruar se gjatë kohës që ka qenë në korridorin e Qendrës së Votimit 1430-2, Durrës, e kanë goditur me grushte shtetasit Dritan Burgija, Pjeter Pjetri dhe Ndrec Pjetri. Bëhet fjalë për ngjarjen në Spitallë.          

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës kanë njoftuar menjëherë prokurorin e gatshëm, për këtë rast. 

Në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, po vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti. 

Shërbimet e Policisë po punojnë për kapjen dhe shoqërimin e këtyre 3 shtetasve.

zgjedhjet e 14 majit

EMISIONET