Gjurmët që lëmë pas në telefon/ Eksperti IT flet për rrezikun e informacionit të fshirë
Eksperti i IT-së, Ardit Gavani, ishte i ftuar në emisionin "Epiqendër" të gazetares Sonila Musai, ku foli për rreziqet e sigurisë digjitale dhe mënyrën se si menaxhohen të dhënat personale në pajisjet elektronike.
Gjatë bisedës, Gavani theksoi se shumë përdorues besojnë se një foto, video apo informacion zhduket përgjithmonë sapo të fshihet nga telefoni, por në realitet situata mund të jetë më komplekse.
“Çdo foto, çdo video, çdo informacion që ti ke në telefon, gati nuk fshihet kurrë plotësisht edhe kur ti i jep delete, edhe nga koshi i riciklimit”, u shpreh eksperti.
Sipas tij, mënyra se si funksionon fshirja në shumicën e pajisjeve elektronike nuk do të thotë domosdoshmërisht zhdukje e menjëhershme e të dhënave, por shpesh është vetëm heqje e aksesit të zakonshëm ndaj tyre.
Eksperti i IT-së këshilloi përdoruesit të tregojnë kujdes me materialet që ruajnë dhe shpërndajnë në internet, pasi gjurma digjitale mund të mbetet edhe pas përpjekjeve për ta eliminuar atë.

