“Gërdeci”, merren dëshmitë e familjarëve të viktimave nga GJKKO: S’e kemi personale me Mediun, por përgjegjës është shteti
Vazhdon seanca ne Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit te Organizuar për çështjen “Gërdeci”.
Mes dëshmitarëve të pyetur sot ishin Feruzan Durda dhe Zamira Durda që humbën dhe familjarët e tyre nga shpërthimi tragjik i 15 marsit të vitit 2008.
I pari që dëshmoi ishte Feruzan Durda, që humbi fëmijën, ku tregoi me detaje se si e mësoi ngjarjen, që nga momenti i shpërthimit, deri në kur mbërriti në spital ku konstatoi të birin në gjendje të rëndë e ku më pas humbi jetën.
Disa nga thëniet e tij u kundërshtuan nga avokati i ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediut, Ardian Visha, mbi punësimin në fabrikë të djalit të madh të Feruzanit, që në atë kohë ishte i mitur, për që dëshmitari e mohoi që ky i fundit të kishte punuar aty.
E dyta ishte bashkëshortja e tij Zamira Durda, e cila pasi tregoi detaje mbi shpërthimin dhe punës që kryhej në fabrikë, debatoi ndaj pyetjes së avokatëve të Mediut se: “Pse i jeni qepur ish-ministrit Mediut”, Durda tha se nuk kam asgjë personale, por institucionale. “Përgjegjës është shteti”, tha ajo.
Në fund kërkoi nga gjykata të gjente kush është përgjegjës për vdekjen e fëmijës saj 6-vjeçar, dhe i la dy fletore shkollore gjykatës që ishin të të birit.
Tjetër temë debati mes çiftit Durda dhe avokatëve të Mediut, ishte punësimi i djalit të madh të madh, ku Feruzani tha se nuk ka punuar në fabrikë, ndërsa e shoqja pranoi punësimin e tij.
Në gjykatë dëshmoi edhe roja Fejzi Shehu, ish-roje në fabrikën e demontimit, i cili tha se kishte vetëm 2 ditë që punonte aty, duke zëvendësuar në këtë detyrë kolegun e tij.
“Ditën kur ndodhi ngjarja doli flakë nga një karrocë e mbushur me barut që ndodhej brenda fabrikës ku demontoheshin armët”.