“Votën për asistencën”/ 75-vjeçari paraqitet në SPAK pasi denoncoi në Këlcyrë: Më ka shkelur me këmbë

Pesë muaj pasi denoncoi se i kërkuan votën në këmbim të asistencës 75-vjeçari nga Këlcyra është paraqitur në SPAK. Në deklaratën për mediat ai i qëndroi të njëjtit argument, duke thënë se ua bëri të ditur edhe prokurorëve se e thërritën në bashki pak ditë para zgjedhjeve.

Hetimi i zgjedhjeve vendore të 14 majit vazhdon të jetë në vëmendje të SPAK.

Në Prokurorinë e Posaçme u paraqit 75-vjeçari Agim Bakushi dhe shkak u bë ky denoncim i bërë në medie vetëm një ditë para votimeve.

“Ai na premtoi se pari të fitojmë do t’ju japim ndihmë ekonomike, si dhe do të ta marrin djalin në punë”, thotë i moshuari.

Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme i moshuari nga fshati Beqyqas i Këlcyrës shpreh edhe një herë arsyet që e bënë të dilte në medie.

“Për padrejtësinë që më bëri, se më ka hedhur në koshin e plehrave do t’i shkoj deri në fund se më erdhi më kërkoi dhe votat. Njeriu që kërkon votat që e ka ndihmuar tërë kohën, por për hallet që kam pasur ai gjithmonë më ka shkelur me këmbë”, u shpreh 75-vjeçari, Agim Bakushi.

Për këtë bashki fituesi u nda me vetëm 83 vota diferencë. Klement Doni i Partisë Socialiste arriti të marrë 2019 vota, Arjan Kasaj nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” me 1936 dhe Adriatik Spahiu në emër të PD-së së Bashës që mori 136 vota.

Megjithatë ende mbetet e paqartë nëse prokuroria kahapur procedim apo është në fazën e mbledhjes së të dhënave paraprake.

EMISIONET