Abuzimet te Gjiri i Lalëzit, SPAK mbyll hetimet dhe çon në GJKKO “Rrumin” e Shijakut dhe Irgen Kërçukun për “korrupsion”

Prokuroria e Posaçme SPAK ka mbyllur hetimet për abuzimet me pronat në Gjirin e Lalëzit dhe ka dërguar në Gjykatën e Posaçme për gjykim dy të akuzuarit kryesorë Aleksandër Lahon, të njohurin si “Rrumi” i Shijakut.

Për të njëjtin hetim, SPAK kërkon dënimin për korrupsion edhe të Irgen Kërçukun, ish-jurist në Avokaturën e Shtetit.

Aleksandër Laho është i njëjti person që udhëtonte me prokurorin Arjan Ndoja më 1 nëntorin e vitit 2019, kur iu bë atentat në aksin Durrës-Tiranë, ngjarje për të cilën GJKKO vendosi dënimin me burgim të përjetshëm për shtetasin Redjan Rraja, nip i ish-dpeutetit socialist Rrahman Rraja, ndërsa me 35 vite burg u dënua Arjol Halilaj.

Njoftimi i SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal nr.235 të vitit 2020 dhe në përfundim të tyre në datën 25.07.2023 i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesë për dërgimin e çështjes për gjykim në ngarkim të të pandehurve:

• Irgen Kërçuku, akuzuar se ka kryer veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, sipas parashikimeve të kësaj dispozite në kohën e kryerjes së veprës penale.

• Aleksandër Laho, akuzar se ka kryer veprën penale “ Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 244 dhe 25 i Kodit Penal.

Në analizë të veprimeve hetimore të kryera është provuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm se, i pandehuri Irgen Kërçuku, me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale, avokat i Shtetit në Zyrën Vendore të Avokaturës së Shtetit, ka marrë një përfitim të parregullt në vlerën 900 000 (nëntëqind mijë) lekë nga i pandehuri Aleksandër Laho i quajtur ndryshe “Rumi”, për të kryer një veprim që lidhet me detyrën e tij, konkretisht për të mos marrë pjesë në procesin gjyqësor me palë ndërgjyqëse paditës Pal Seçuni, palë e paditur ZVRPP Durrës dhe palë e tretë Avokatura e Shtetit, si dhe për të mos kryer një veprim që lidhet me detyrën e tij konkretisht, për të mos bërë në vijim ankim në Gjykatën e Apelit, për vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës.

I pandehuri Aleksandër Laho në bashkëpunim me persona të tjerë i ka dhënë një përfitim të parregullt në vlerën 900 000 (nëntëqind mijë) lekë, avokatit të shtetit në zyrën vendore Durrës, të pandehurit Irgen Kërçukut, për atë personalisht, me qëllim për të kryer një veprim që lidhet me detyrën e tij, konkretisht për të mos marrë pjesë në procesin gjyqësor me palë ndërgjyqëse paditës Pal Seçuni, palë e paditur ZVRPP Durrës dhe palë e tretë Avokatura e Shtetit si dhe për të mos kryer një veprim që lidhet me detyrën e tij konkretisht, për të mos bërë në vijim ankim në Gjykatën e Apelit, për vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës.

Veprimet hetimore të këtij procedimi penal janë kryer nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit nën drejtimin dhe kontrollin e Prokurorit të Posaçëm.

Hetimet vazhdojnë në një procedim të ndarë për fakte të tjera penale.

Sqarim: Kërkesa për gjykim është pjesë e ushtrimit të ndjekjes penale. Gjithkush prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë 

spak edison vatnikaj gjkko irgen kërçuku aleksandër laho rrumi

EMISIONET