Kupa e Botës thyen rekorde, gola, shpejtësi dhe miliona tifozë në stadiume

Shumë parametra janë të niveleve tepër të larta, dhe pritet të lartësohen edhe më tej. Kjo Kupë e Botës do të mbahet mend për golat, vrapimin, shpejtësinë e rrjetave dhe numrin e madh të tifozëve në stadiume, si dhe ndjekjen në rrjetet sociale.
Për herë të parë në fazat finale të një turne të tillë, 3 lojtarë kanë shënuar të paktën 7 gola, pasi Mesi ka 8, ndërsa Mbape e Haland e ndjekin me nga 7. Mbape po ashtu mban rekordin e shpejtësisë, duke arritur të vrapojë me 37.6 kilometra në orë, një nivel që në zona të caktuara të ndëshkon me gjobë nga policia.
Ylli I Senegalit, Pape Geje, mban rekordin e Botërorit për golin me shpejtësi më të madhe të goditjes deri tani. Kjo pasi shënoi ndaj Irakut ndërsa topi shkoi drejt rrjetës me 131.94 kilometra në orë.
Timoti Kastanjë I Belgjikës është lojtari që ka vrapuar më shumë në një ndeshje të vetme, plot 16.29 kilometra. Gjithashtu, Belgjikës I takon edhe futbollisti që ka vrapuar më shumë gjatë gjithë kampionatit, dhe ky është Juri Tilemans që është një maratonomak i vërtetë me 61.8 kilometra në total.
Gjithsej, janë shënuar 280 gola, me mesatare 2.92 për ndeshje, me Mesin që ka arritur në 21 rrjeta në karrierë gjatë kupave të botës, dhe me Mbapenë që ka rekordin me 11 gola në fazat me eliminim direkt.
Prania e tifozëve në stadiume ka qenë në nivele të shkëlqyera, përtej çmimeve të larta të biletave. Në tribuna kanë qenë deri tani gjithsej 6.26 milionë spektatorë, me mesatare mbi 65 000 për çdo sfidë.
Rekordi I mbetet Botërorit të vitit 1994 të mbajtur vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me rreth 69 000 tifozë për ndeshje. Në rrjetet sociale të FIFA-s, turneu ka qenë gjithashtu një sukses i jashtëzakonshëm, i pakrahasuar me kampionatet e mëparshëm, sepse ka mbi 20 miliardë shikime për videot e hedhura aty.

