Mbyllja e tre kapitujve të parë me BE-në/ Gjepali: Shqipëria hyn në fazën më të vështirë të negociatave
Shqipëria ka shënuar një hap të rëndësishëm në procesin e integrimit europian me mbylljen e tre kapitujve të parë të negociatave me Bashkimin Europian.
Sipas drejtorit të Lëvizjes Europiane në Shqipëri, Gledis Gjepali, ky zhvillim ka një peshë të madhe simbolike dhe dëshmon se vendi është në gjendje të përmbushë standardet e kërkuara nga BE-ja, duke konfirmuar gjithashtu mbështetjen politike të vendeve anëtare për vijimin e procesit të anëtarësimit.
I ftuar në një intervistë, Gjepali theksoi se mbyllja e kapitujve të parë tregon se Shqipëria ka përfunduar me sukses të gjitha detyrimet që lidhen me këto fusha. Ai sqaroi se, ndonëse bëhet fjalë për kapitujt më pak kompleksë të negociatave, rëndësia e tyre qëndron te fakti se provojnë aftësinë e vendit për të ndjekur dhe përmbyllur procesin sipas kërkesave të Bashkimit Europian.
Sipas tij, pas këtij momenti nis faza më sfiduese e negociatave, pasi kapitujt që do të shqyrtohen në vijim lidhen me funksionimin e tregut, standardet europiane dhe reforma më të thella institucionale.
Ai nënvizoi se këto fusha do të kërkojnë më shumë punë, monitorim më të rreptë dhe angazhim të shtuar nga institucionet shqiptare.
Gjepali vuri në dukje se, sa më shumë Shqipëria i afrohet objektivit të anëtarësimit, aq më të larta bëhen kërkesat për zbatimin konkret të reformave. Sipas tij, sfida nuk qëndron vetëm në miratimin e ligjeve, por mbi të gjitha në zbatimin e tyre në praktikë, çka e bën këtë periudhë më të vështirën e procesit të integrimit.
Një rol kyç në këtë rrugëtim, sipas Gjepalit, ka administrata publike. Ai theksoi se të gjitha reformat që lidhen me integrimin europian zbatohen nga administrata, ndaj është jetike forcimi i kapaciteteve profesionale, trajnimi i vazhdueshëm i punonjësve dhe ruajtja e ekspertizës brenda institucioneve shtetërore.
Kjo, sipas tij, do të jetë vendimtare jo vetëm për përmbylljen e negociatave, por edhe për përthithjen e fondeve europiane pas anëtarësimit.
Në përfundim, Gjepali kujtoi se reforma në drejtësi mbetet ndër më të rëndësishmet dhe është një nga kapitujt që zakonisht mbyllet i fundit, pikërisht për shkak të peshës që ka në vlerësimin e përgjithshëm të progresit të një vendi drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Ai theksoi se suksesi i Shqipërisë nuk do të matet vetëm me hyrjen në BE, por edhe me aftësinë për të vijuar reformat dhe për t'i zbatuar ato edhe pas anëtarësimit.
Gledis Gjepali: Sepse mbyllen janë kapitujt e parë që mbyllen dhe në momentin që vendi fillon të mbyllë kapituj, do të thotë që e ka kryer punën në kapituj specifik pra nga fillimi deri në fund se çfarë kërkohet nga Bashkimi Europian dhe kjo ka një simbolikë të rëndësishme për të treguar që vendi mund t'ia dalë mbanë, e njeh procesin, di si ta përfundojë atë.
Nëse më pas shohim kapituj specifik sigurisht ata janë kapitujt më të lehtë, ata që përgjithësisht mbyllen të parët për shkak se ka pak legjislacion në këto kapituj, por nga ana simbolike është patjetër e rëndësishme sepse tregon dhe një vullnet politik nga vendet anëtare për të vazhduar me mbylljen e kapitujve, pra që konfirmon perspektivën e anëtarësimit të shpejtë në Bashkimin Europian.
Po, mbas këtyre tre kapitujve, kapitujt e tjerë përgjithësisht janë të vështirë, disa janë shumë të vështirë që do mbyllen dhe në fund, dihet, por mbas këtyre kapitujve hyjmë te kapitujt e vështirë sepse bëhet fjalë për ata kapitujt të cilët kemi një farë përgatitje po kanë të bëjnë me tregun, me standarde që janë të rëndësishme dhe do të ketë më shumë punë për to, do të ketë vlerësim më të kujdesshëm, do të ketë angazhim më të madh të gjithë institucionve.
Puna sa vjen e vështirësohet. Sa më shumë i afrohemi datës të projektuar të paktën nga qeveria dhe nga institucionet shqiptare, aq më e vështirë bëhet rruga sepse intensifikohen reformat dhe intensifikohet monitorimi dhe do të duhet që të zbatohen në praktikë pra, që është pjesa më e vështirë. Prandaj do të thënë që ky proces është malore në këtë fazë sepse është faza më e vështirë e tij.
Administrata publike është shumë e rëndësishme sepse është kyç në ndërmarrjen e reformave. Të gjitha reformat kryesore që janë ndërmarrë e do të ndërmerren nga Shqipëria në funksion dhe të procesit të integrimit evropian, zbatohen nga administrata publike.
Prandaj është shumë e rëndësishme reformimi i vazhdueshëm i saj, rritja e kapaciteteve dhe profesionalizmit, mbajtja e kapaciteteve të formuara, të trajnuara në administratë, pra mos shkojnë në sektor privat dhe të largohet ekspertiza e krijuar. Dhe janë pikërisht kjo trupë që do zbatojë reformat, do zbatojë projektet e Bashkimit Evropian, do synojë të përthithi fondet kur të jemi të anëtarësuar në Bashkimin Evropian
Pra është një element kyç i suksesit të, të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Që nuk matet vetëm në këtë fazë, por më shumë mbas anëtarësimit, ku do tregojmë që a vërtet e kemi kthyer në një histori suksesi apo ritmi i reformave do të ndalojë në momentin e anëtarësimit.
Po, është, siç e dimë, është reforma më e rëndësishme dhe kapitulli, një prej kapitujve që mbyllet i fundit. Pikërisht për shkak të rëndësisë së madhe që ka dhe që vlerëson të gjithë ecurinë e vendit.

