Bora "paralizon" Shqipërinë/ Këto janë të gjitha RRUGËT E BLLOKUARA nga reshjet

I gjithë vendi është përfshirë nga reshjet e shiut dhe dëbora duke shkaktuar probleme në lëvizjen e mjeteve në disa akse rrugore.

Sipas raportimeve nga strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, situata deri në këto momente paraqitet si më poshtë:

- Në qarkun e Dibrës rruga e “Arbrit” është e pakalueshme në Qafë Murriz, pasi ka reshje bore të dendura. Firmat kontraktore po punojnë për hapjen e këtij aksi.

- Në bashkinë Dibër janë bllokuar disa qendra administrative me akset kryesore si; Lurë, Selishtë, Luzni, Kala e Dodës dhe Zall Dardhë.

- Në bashkinë Bulqizë janë të bllokuara njësitë administrative Ostren, Trebisht.

- Në bashkinë Klos janë bllokuar rrugët dytësore të fshatrave që lidhen me qendrat administrative Suç, Gurë dhe Xibër.

- Në bashkinë Mat janë bllokuar disa rrugë të fshatrave që lidhen me qendrat administrative Macukull, Lis, Derjan dhe Komsi.

- Aksi rrugor Peshkopi-Ulëz, në vendi e quajtur Qafë Ulëz ka qenë e bllokuar për shkak të pranisë së dëborës, akullit dhe mjeteve që lëvizin pa goma dimërore. Ditën e sotme qarkullimi kryhet normalisht.

- Rrugët rurale që lidhin bashkinë Fushë-Arrëz me njësinë administrative Iballë dhe fshatrat e saj janë të bllokuara.

- Në aksin rrugor Elbasan-Qafë Thanë, në vendin e quajtur kthesat e “Murrashit" ka patur prezencë inertesh në rrugë. Në Qafë Thanë pati reshje dëbore të cilat kanë vështirësuar qarkullimin e mjeteve të rënda. Gjatë natës dhe në orët e mëngjesit të ditës së sotme po vijon puna për pastrimin dhe kriposjen e rrugës ne aksin Qafë Thane - Pogradec. Qarkullimi kryhet me goma dimri.

- Në aksin rrugor Tiranë-Elbasan në dalje të tunelit, pati probleme me qarkullimin pasi terreni ishte shumë i lagësht dhe me ngrica. Qarkullimi u krye vetëm në një sens lëvizje. Gjatë natës dhe ditën e sotme është bërë shpërndarja e kripës dhe qarkullimi bëhet me goma dimri.

- Në bashkinë Krujë, aksi rrugor Cudhi Kamp-Qafështamë është i bllokuar nga reshjet e dëborës.

- Në aksin rrugor Vuno - Himarë, në vendin e quajtur ura e Vishës ka rënë një masiv shkëmbor. Rruga është e kalueshme në një sens lëvizje dhe po punohet për hapjen e krahut tjetër.

- Rruga për në Shëngjergj, bashkia Tiranë është e vështirë për t'u kaluar nga sasia e reshjeve të dëborës.

- Në Lanabregas si pasojë e bllokimit të kolektorit ka patur prezencë të ujit duke rrezikuar përmbytjen e një banese.

- Në segmentin Fresku - Trau Dajt, në km 5 pati rrëshqitje të skarpatës duke bllokuar njërën prej korsive. Po punohet për pastrimin e rrugës.

EMISIONET