Bonusi i verës për pensionistët, Nunaj: Indeksimi është detyrim ligjor, bonusi mbetet çështje vullneti politik!

Bonusi i verës për pensionistët, Nunaj: Indeksimi është

Ekspertja e ekonomisë Teuta Nunaj, në një intervistë për “Ora News”, u shpreh se indeksimi i pensioneve nuk përbën një rritje reale të mirëqenies së pensionistëve, por shërben vetëm për të ruajtur fuqinë blerëse përballë inflacionit.

Sipas saj, ligji e detyron qeverinë të bëjë indeksimin një herë në vit, por nuk përcakton muajin kur duhet të realizohet. Për këtë arsye, theksoi Nunaj, nuk mund të flitet për shkelje ligjore nëse indeksimi kryhet në korrik, prill apo në një periudhë tjetër të vitit.

Ajo nënvizoi se, në praktikë, indeksimi nuk përmirëson standardin e jetesës së pensionistëve, pasi ata vijojnë të blejnë të njëjtën sasi mallrash si më parë, ndërsa niveli i ulët i pensioneve nuk mjafton për të përballuar koston e jetesës. Sipas analizës së saj, një pjesë e madhe e pensionistëve mbështeten nga remitancat dhe ndihma financiare e familjarëve për të përballuar shpenzimet.

Duke komentuar bonusin e verës për pensionistët, Nunaj tha se ai është një masë që aplikohet për herë të parë në vitin 2026, por nuk përbën një politikë të re sociale. Sipas saj, ekzistojnë dy mënyra për të mbështetur pensionistët: rritja e përhershme e pensioneve ose dhënia e bonuseve periodike.

“Ndryshe nga indeksimi, që është një detyrim ligjor, bonusi është një vendim që varet nga vullneti politik i qeverisë,” u shpreh ajo.

Nunaj shtoi se arsyet për dhënien e bonusit mund të jenë të ndryshme, duke përfshirë nevojën për të mbështetur pensionistët, situatën ekonomike, pakënaqësitë sociale apo kompensimin e efekteve të vendimeve të mëparshme. Megjithatë, ajo theksoi se ndikimi i bonusit mbetet i kufizuar.

“Është një shumë që mund të ndihmojë në zgjidhjen e një problemi të momentit, por nuk zgjidh problemin e jetesës së pensionistëve,” përfundoi ekspertja.

Teuta Nunaj: Flasim për indeksimin, do të thotë që të rrisësh masën e pensionit me të njëjtin nivel përqindje që është rritur edhe çmimi i produkteve që ndryshe quhet inflacion. Është një fjalë tashmë që e njohin pothuajse të gjithë qytetarët. Dhe kjo është pjesa e detyrimit ligjor.

Që do të thotë qeveria ka detyrim të indeksojë masën e inflacionit. Dhe kjo bëhet pikërisht për të ruajtur të njëjtën fuqi blerëse, që nënkuptohet qytetari kur ka dalë në pension me të ardhur me vlerën e pensionit të tij ai blinte një 100 njësi mall, pavarësisht se sa është rritur çmimi i produkteve ose se sa është bërë inflacioni.

Sërisht pas x vitesh qytetari duhet të blejë po një 100 njësi mall, që nënkupton qeveria e ka detyrim ta rrisi masën e pensionit po aq kohë sa është rritur edhe inflacioni. Dhe në këtë rast i përgjigjemi dhe pyetjes tuaj që një indeksim nuk përmirëson gjendjen e qytetarit, po thjesht e lë, do ta quajmë në status quo, me atë gjendje. Pra blinte 10 njësi mall vjet, blen edhe një 10 njësi mall sot.

Indeksimi, ligji e ka të përcaktuar një herë në vit po nuk e ka të përcaktuar kohën se kur. Pra nuk e ka të përcaktuar nëse do jetë në janar, në prill, në korrik apo do jetë edhe në tetor. Në përvojën ose përgjatë gjithë viteve që është realizuar indeksimi nuk ka pasur asnjëherë një datë fikse, ka qenë gjithmonë të ndryshme. Kur është gjykuar nga qeveria në këtë rast do ta themi. Në këtë pikë nuk mund të themi që kemi të bëjmë me një shkelje dhe nuk mund të themi pse ky indeksim u bë në korrik, nuk u bë në prill apo nuk u bë në tetor.

Pra në aspektin formal ligjor. Në aspektin real se çfarë ndryshon ky indeksim tek qytetarët do themi që në aspektin real është zero. Pra ai blinte po një sasi 10, ose po një 100 njësi produkt, pra nuk i ka përmirësuar jetën e tij. Dhe duke marrë në konsideratë që vlera e pensioneve është e ulët, kjo do të thotë në këtë rast që kostoja e jetesës nuk përballohet nga pensioni. Dhe në analizën këta qytetarë nuk jetojnë me pensionet e tyre.

Pra kur flasim në tërësi në pjesën më të madhe pra nuk është se themi të gjithë qytetarët nuk jetojnë se shtrohet pyetja atëherë me çfarë jetojnë. Dhe në analizën time sërish duke pasur dy elementë që është rritja e vlerave të remitancave sidomos atyre që janë për konsum dhe njëkohësisht mbështetja e familjarëve ose fëmijëve të tyre ndaj pensionistëve janë ata që ndihmojnë që pensionistët të përballojnë kostot e jetesës.

Po, do themi që është një bonus që akordohet për herë të parë në '26, në kuadrin e bonuseve, por është një politikë e cila do ta quaj një politikë të vjetër. Pra janë dy modele politikash sociale për të mbështetur pensionistët: Ose do të rrisësh të ardhurën, pensionin në mënyrë të vazhdueshme çdo muaj, pra për shembull çdo muaj pensionisti, ose do japësh një vlerë X në një X periudhë kur e vendos qeveria, duke qenë se qeveria e ka atributin ligjor për të marrë një vendim, për të shpërndarë një të ardhur.

Pra është pjesa e të ardhurës që akordohet nga buxheti i shtetit. Në këtë analizë ne themi që qeveria ka vullnet t'i japë një bonus, nuk ka vullnet t'i japë një bonus. Pra në analizën time kjo është çështje vullneti politik. Pra këtu bën dallimi nga indeksimi që është detyrim ligjor, dhe bonusi është një vullnet politik, i cili jepet për X arsye.

Arsyet mund të jenë nga më të ndryshmet. Mund të jetë mundësia ose dëshira për të mbështetur, mund të jetë në këtë rast kjo situata jo e qëndrueshme që është në Shqipëri mund të ketë ndikuar, mund të jetë fakti që qytetarët, sidomos pensionistët janë ata të cilët janë gjithmonë të pakënaqur.

Mund të jetë fakti që shpërndarja e kompensimit nga janari, duke qenë se ka privuar një numër të konsiderueshëm qytetarësh për shkak të vendosjes së tavanit, atëherë qeveria jep një bonus në thonjëza për të dhënë atë që nuk dha ose nuk do jepte përgjatë gjithë vitit, pra mund të jetë një mori arsyesh.

Do themi cili është ndikimi i kësaj vlere, pra kjo është pjesa e analizës formale, në analizën pastaj reale se sa ndihmon kjo vlerë,jemi të gjithë koshientë në këtë rast që është një vlerë e cila mund të zgjidhinjë problem por jo jetesën e qytetarëve.

 

EMISIONET