Arrestimi i Ibrahim Licit në Turqi, Policia del me informacion zyrtar. Entuziazmohet edhe ministri Balla

Bashkëpunim intensiv me partnerët, për kapjen e shtetasve të shumëkërkuar.
Si rezultat i inteligjencës policore të siguruar nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër dhe nga struktura të tjera të specializuara të Policisë së Shtetit, si dhe i shkëmbimit në kohë reale të informacionit me autoritetet policore turke, finalizohet operacioni policor i koduar “Jehona”.
Operacioni, nga Policia e Turqisë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në koordinimin e Departamentit të Policisë Kriminale dhe Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, në drejtimin e SPAK.
Kapet në Turqi dhe vihet në pranga me qëllim ekstradimin, një 31-vjeçar i shumëkërkuar për vrasje.
Strukturat vendore të Policisë Shkodër, si rezultat i punës së pandërprerë për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, kanë siguruar informacion se shtetasi i shumëkërkuar I. L. fshihej në Turqi. Më tej, struktura të specializuara të Departamentit të Policisë Kriminale dhe Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare (Interpol Tirana) e kanë shkëmbyer menjëherë këtë informacion dhe kanë bashkëpunuar ngushtë me autoritetet policore të Turqisë, për kapjen e këtij shtetasi.
Si rezultat i shkëmbimit të informacionit në kohë reale, ndjekjes dhe koordinimit të veprimeve, Policia turke ka finalizuar operacionin policor të koduar “Jehona”, gjatë të cilit është kapur dhe vënë në pranga shtetasi i shumëkërkuar I. L., 51 vjeç.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, në vitin 2021, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për vepat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armeve shperthyese dhe municionit”, pasi më datë 15.05.2021, dyshohet ka vrarë me armë zjarri pistoletë, shtetasin E. M.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese, vijon punën për ekstradimin e të shumëkërkuarit, drejt Shqipërisë.
Reagimi i ministrit Balla
"Përgëzime Policisë së Shtetit, Interpol Tirana, Interpol Ankara për arrestimin në Stamboll, Turqi të një personi shumë të kërkuar nga drejtësia shqiptare. Falë bashkëpunimit të shkëlqyer me Interpol po punojmë çdo ditë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë, duke gjurmuar, lokalizuar dhe kapur persona në kërkim ndërkombëtar, kudo që ata ndodhen. Ky bashkëpunim po zgjerohet edhe me agjenicitë e vendeve me të cilat s’kemi ende një marrëveshje ekstradimi", shprehet në reagimin e tij përmes rrjeteve sociale, ministri i Brendshëm, Taulant Balla.



