247 VATRA ZJARRI NË SHQIPËRI/ Mbi 528 hektarë sipërfaqe janë djegur që nga nisja e verës

Që nga nisja e verës, në Shqipëri janë regjistruar 247 vatra zjarri, pesë prej të cilave mbeten aktive. Rreziku paraqitet i lartë në Lezhë, Durrës, Tiranë, Fier dhe në disa zona të Vlorës e Shkodrës.

Të paktën 247 vatra zjarri janë raportuar në Shqipëri që nga nisja e verës, në pyje dhe zona të tjera natyrore, ndërsa aktualisht rreth pesë prej tyre vijojnë të jenë aktive.

Periudha me numrin më të lartë të zjarreve është regjistruar gjatë valës së parë të temperaturave të larta, nga 22 qershori deri më 7 korrik. Sipas Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, në këtë hark kohor u shënuan 160 vatra, ose 56 për qind e totalit.

Të dhënat e shërbimit satelitor evropian “Copernicus” tregojnë se flakët kanë djegur më shumë se 528 hektarë sipërfaqe.

Sipas parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencave, rreziku për zjarre paraqitet i lartë në qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë dhe Fier, si edhe në disa zona të Vlorës dhe Shkodrës.

Në Elbasan, Vlorë, Berat dhe Gjirokastër, rreziku vlerësohet i moderuar, ndërsa në qarqet e tjera paraqitet i ulët.

Zjarret prekën këtë vit edhe Parkun Kombëtar të Llogarasë, ku flakët u shuan pas tri ditësh ndërhyrjesh intensive nga Forcat e Armatosura dhe strukturat e emergjencave.

Pas stuhisë që përfshiu bregdetin dhe zona të tjera të vendit, pritet rikthimi i motit të thatë. Sipas parashikimeve meteorologjike, gjatë ditëve në vijim nuk priten reshje shiu.

Ndërkohë, Policia ka njoftuar se gjatë muajit korrik janë arrestuar 29 persona, të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme.

EMISIONET