TRUMP PËRBALLET ME MEDIAT, Batuta dhe sulme në darkën e korrespondentëve

TRUMP PËRBALLET ME MEDIAT, Batuta dhe sulme në darkën e

Presidenti amerikan Donald Trump riktheu tonet e tij karakteristike me batuta, kritika dhe sulme ndaj mediave gjatë darkës me Shoqatën e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, tre muaj pas ndërprerjes së aktivitetit të parë për shkak të një atentati në hotelin ku zhvillohej takimi.

Trump e nisi fjalimin me një mesazh më pajtues, duke kujtuar sulmin e muajit prill dhe duke theksuar se “shfaqja duhet të vazhdojë”. Ai bëri thirrje që mosmarrëveshjet politike të zgjidhen përmes debatit dhe jo përmes dhunës.

Megjithatë, presidenti amerikan shumë shpejt iu rikthye retorikës së tij të zakonshme kundër mediave, duke sulmuar gazetarët kritikë dhe duke e cilësuar sallën si një grumbullim të personave me “sindromën kundër Trumpit”.

Gjatë ceremonisë u nderuan edhe gazetarë nga media me të cilat Trump ka pasur përplasje të vazhdueshme, përfshirë ekipin e “The Wall Street Journal” për raportimet mbi lidhjet e tij me financierin Jeffrey Epstein.

Një tjetër moment që tërhoqi vëmendjen ishte komenti i Trump për një mandat të tretë presidencial, i cili ndalohet nga Kushtetuta amerikane. Presidenti këmbënguli se ishte një shaka, ndërsa më pas nxori një kapele me mbishkrimin “Trump 2028” dhe ironizoi edhe me mundësinë e një mandati të katërt.

Trump mbrojti gjithashtu marrëdhënien e tij me median, duke deklaruar se komunikimi i drejtpërdrejtë me gazetarët i jep atij një mundësi për një pasqyrim më pozitiv të veprimtarisë së tij.

Në fund të fjalimit, presidenti tha se kishte respekt të madh për gazetarët e pranishëm, por e mbylli me një tjetër batutë: “Kur unë të largohem, të gjithë ju do të mbeteni pa punë”.

Darkën e Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë e shoqëruan masa të larta sigurie, ndërsa personi i dyshuar për sulmin e muajit prill është deklaruar i pafajshëm për akuzat, përfshirë edhe tentativën për vrasjen e presidentit.

EMISIONET