Tragjedi në Gjermani / Aeroplani përplaset mbi një shtëpi, humbin jetën dy persona

Një aksident i rëndë ajror ka tronditur qytetin Ganderkesee pranë Oldenburgut në Gjermani, ku një aeroplan i lehtë u përplas mbi çatinë e një banese, duke shkaktuar vdekjen e dy personave.
Ngjarja ndodhi pak para orës 11:00 të mëngjesit në rrugën Stettiner Weg, ku aeroplani humbi lartësinë dhe u përplas me pjesën e përparme në çatinë e një ndërtese banimi.
Nga përplasja e fuqishme, kabina e pilotit u shkatërrua plotësisht, ndërsa krahët e avionit u thyen dhe mbeturinat u shpërndanë në zonën përreth.
Banorët e zonës kanë treguar se dëgjuan një zhurmë të madhe dhe menjëherë kuptuan se kishte ndodhur një aksident i rëndë.
Pas përplasjes, autoritetet nisën një operacion të gjerë shpëtimi. Zjarrfikësit dhe ekipet emergjente kontrolluan rrënojat, ndërsa policia evakuoi banorët e shtëpive përreth dhe mbylli hapësirën ajrore mbi zonën e aksidentit.

Fillimisht u gjet një trup në vendngjarje, ndërsa pas disa orësh kërkimesh u konfirmua se edhe personi i dytë që ndodhej në aeroplan kishte humbur jetën.
Sipas autoriteteve, familja që jetonte në shtëpinë ku u përplas avioni ndodhet me pushime. Një ekspert ndërtimi do të vlerësojë nëse banesa është e sigurt për rikthimin e tyre apo nëse ekziston rrezik për dëmtime strukturore.


