S*lmet mediatike, reagon Klodian Allajbeu: Liria e shprehjes nuk është liri për të shpifur

Drejtori ekzekutiv i Spitalit Amerikan, Klodian Allajbeu, ka reaguar pas disa publikimeve mediatike që e akuzojnë se ka përfituar 7 tendera pa garë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Allajbeu shprehet se të gjitha pretendimet janë tërësisht të sajuara.
Sipas Allajbeut, liria e shprehjes nuk është liri për të shpifur ndërsa thekson se këtë çështje do ta ndjekë përmes rrugëve ligjore.
“Ditët e fundit janë publikuar në disa portale pretendime të pavërteta që lidhen me personin tim, dhe aktivitetin profesional. Dua t’i përgënjeshtroj qartësisht: këto pretendime janë tërësisht të sajuara.
I kuptoj edhe detyrimet e medias për të informuar publikun, por po aq të rëndësishme janë edhe verifikimi i fakteve, respektimi i etikës profesionale dhe i së vërtetës. Liria e shprehjes nuk mund të shndërrohet në liri për të shpifur.
Për këtë arsye, kam vendosur të ndjek të gjitha rrugët ligjore për të kërkuar përgjegjësi ndaj autorëve dhe publikuesve të këtyre shpifjeve. Besoj se kjo është mënyra e duhur për të mbrojtur jo vetëm dinjitetin tim dhe të familjes sime, por edhe reputacionin e kolegëve dhe profesionistëve të ndershëm që përmenden padrejtësisht në këto publikime.
Kam besim se institucionet do ta trajtojnë këtë çështje me seriozitet dhe se e vërteta do të dalë në dritë”– shkruan Allajbeu.

