Google paralajmëron rritje çmimesh për Pixel 11 / Kriza e RAM-it detyron ndryshime në strategjinë e kompanisë

Google ka konfirmuar se seria e ardhshme Pixel 11 do të përballet me rritje çmimesh, për shkak të rritjes së kostove të komponentëve, veçanërisht të memories RAM.
Zëvendëspresidenti i Pajisjeve dhe Shërbimeve në Google, Shakil Barkat, ka deklaruar se industria e teknologjisë po përballet me një rritje të paprecedentë të çmimeve të memories, duke theksuar se kompania nuk mund t’i shmanget më ndikimit të tregut.
Sipas të dhënave të përmendura nga Morgan Stanley, çmimi i 1 GB RAM është rritur ndjeshëm, nga 2.80 dollarë në vitin 2025 në rreth 12 dollarë këtë vit.
Google bëri të ditur se të gjitha pajisjet Pixel do të kenë “rregullime” çmimesh, të cilat do të përshtaten me realitetin e ri të furnizimit. Kjo do të përfshijë edhe modelet e reja Pixel 11, detajet e të cilave pritet të zbulohen në prezantimin e 12 gushtit.
Sipas raportimeve të fundit, Pixel 11 dhe Pixel 11 Pro mund të kushtojnë rreth 100 dollarë më shumë se modelet aktuale, ndërsa disa versione më premium si Pixel 11 Pro XL dhe Pixel 11 Pro Fold pritet të kenë gjithashtu rritje çmimi.
Përveç rritjes së kostove, Google po punon edhe për optimizimin e sistemit Android, me qëllim uljen e kërkesave për RAM pa cenuar performancën e pajisjeve.
Kompania ka deklaruar se po zhvillon një “përpjekje të përkushtuar” për ta bërë Android-in më efikas në menaxhimin e memories, duke lejuar që pajisjet të ofrojnë një përvojë të avancuar edhe me më pak RAM.
Google thekson se do të vazhdojë të ofrojë oferta, programe shkëmbimi dhe përfitime si Google One, me synimin që linja Pixel të mbetet konkurruese pavarësisht rritjes së kostove.



