Vlorë: Ryshfete, abuzime me gjobat dhe radarin, pezullohen 4 policë të Rrugores, një tjetër nën hetim

Vlorë: Ryshfete, abuzime me gjobat dhe radarin, pezullohen 4 policë

Katër efektivë policie me detyrë trupë shërbimi në sektorin urban dhe interurban të policisë së Vlorës janë pezulluar nga detyra pasi akuzohen për shpërdorim detyre.

Konkretisht bëhet fjalë për policët Medin Canaj, Armir Xhafaj, Renols Mataj, Taulant Kasa, Endri Kasaj, të cilët akuzohen se kanë kryer shkelje me drejtues të ndryshëm automjetesh; kanë falsifikuar të dhënat e fiksuara nga radari si dhe kanë dekonspiruar operacionet e rrugorëve.

Po ashtu ata akuzohen kanë falsifikuar të dhënat e fiksuara nga radari sa i përket identitetit të kundërvajtësve, me qëllim mos penalizimin e tyre dhe heqjen e automjeteve nga sistemi "Alert".

"Krijohet dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova, se punonjësit e policisë rrugore në bashkëpunim me njëri tjetrin, me anë të veprimeve të kundraligjshme të kryera gjatë ushtrimit të detyrës së tyre funksionale si punonjës të sektorit të qarkullimit rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, në kohë dhe vende të ndryshme, kanë shpërdoruar detyrën duke ndëshkuar me masa administrative jo në proporcion me shkeljen e kryer drejtues të ndryshëm automjetesh;

si dhe kanë falsifikuar të dhënat e fiksuara nga radari sa i përket identitetit të kundravajtësve, me qëllim mos penalizimin e tyre dhe heqjen e automjeteve nga sistemi "Alert", duke i shkaktuar dëm ekonomik si dhe duke cenuar interesat e ligjshme të shtetit, duke konsumuar elementë të veprës penale të "Shpërdorim detyre", kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 të Kodit Penal" thuhet në dokumentin e prokurorisë siguruar nga Ora News.

 Ndërkohë, është caktuar masa e sigurimit "Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore", për shtetasin nën hetim Medin Canaj.

Gjatë hetimeve të kryera janë përdorur transkriptet e bisedave telefonike të përgjuara, duke i vlerësuar dhe ballafaquar ato me vëzhgimet e kryera në terren, përgjimet ambjentale, si dhe administrimi dhe verifikimi i praktikave të kryera prej tyre.

Po kështu ka rezultuar e provuar se disa prej punonjësve të mësipërm të policisë, "kanë kryer veprime të kundraligjshme që kanë konsistuar në njoftimin më parë të personave të ndryshëm që ofrojnë në mënyrë të parregullt dhe pa licensë shërbimin taksi dhe furgon pasagjerësh në qytetin e Vlorës, duke dekonspiruar kështu kryerjen e aksioneve dhe kontrolleve ndaj këtyre subjekteve nga kolegët e tyre" shkruhet në dokument.

Hetimet vazhdojnë në lidhje me evidentimin e veprimeve dhe praktikave të tjera dhe personave të tjerë të implikuar në rastet e kundraligjshme të evidentuara deri më tani.

EMISIONET