Pandemia e Covid-19 ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e vdekshmërisë në vend, duke e çuar në rekorde historike të larta.

Sipas të dhënave zyrtare që revista “Monitor” ka siguruar pas një kërkese për informacion drejtuar Drejtorisë së Gjendjes Civile, në vitin 2020 kanë humbur jetën rreth 28 mijë persona.

Në krahasim me vitin 2019 dhe me mesataren e periudhës 2015-2019 (rreth 22 mijë), janë rreth 6 mijë jetë të humbura më shumë, me rritje prej 28%, duke shënuar nivelin më të lartë historik, të paktën që nga viti 1990, kohë nga e cila INSTAT ka nisur edhe publikimin e të dhënave.

Lidhur me këto të dhëna ka reaguar edhe mjeku i njohur Erion Dasho, i cili përmes një postimi në Facebook fajëson kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë për keqmenaxhim të situatës me Covid-19.

Erion Dasho: “Në dy fotot bashkëlidhur numri i vdekjeve ekstra, i raportuar sot nga Monitor dhe ai që kisha përllogaritur në 8 dhjetor 2020 në emisionin Tempora.

Tashmë është i provuar qartësisht dështimi i Boratit me shokë në parandalimin dhe kontrollin e COVID-19 në Shqipëri.

Fatkeqësi për shqiptarët dhe dhimbje për ata që humbën jetën si pasojë e papërgjegjshmërisë së atyre që kemi në krye…

Shkaqet kryesore të vdekjeve në vend, Covid-19 mund të renditet i dyti

Në vitin 2019, në vend humbën jetën rreth 22 mijë persona, ose rreth 60 persona në ditë, sipas INSTAT.

Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut (zemra, tensioni) është grup-sëmundja që shkakton më shumë vdekje, me 53% të totalit në 2019-n, ose 30 persona në ditë. (grafiku: Vdekjet sipas grupsëmundjeve).

Tumoret ishin deri tani sëmundja më e dytë vrasëse, rreth 3500 persona, ose me 16% të totalit, ose rreth 10 persona në ditë.

Shkaqet e vdekjeve në 2019

Historikisht në vend janë shënuar midis 20-22 mijë vdekje në vit, ndërsa kapërcimi në 2020-ën është shumë i fortë siç duket edhe nga grafiku “Numri i vdekjeve në vite, 1990-2020”.

Lexo edhe:

COVID19/ 739 raste të reja dhe 7 humbje jete në 24 orët e fundit