Tarantino: Hollywood-i pas pandemisë është kthyer në një “fabrikë sallami pa shije”

Tarantino: Hollywood-i pas pandemisë është kthyer në

Regjisori i njohur amerikan, Quentin Tarantino, ka kritikuar ashpër industrinë e filmit në Hollywood pas pandemisë, duke e cilësuar atë si një “fabrikë sallami pa shije” dhe duke pranuar se sot preferon më shumë të lexojë libra sesa të shohë filma.

Në një artikull të botuar për revistën e kinemasë Sight and Sound, autori i filmave kult si “Pulp Fiction” dhe “Kill Bill” shprehet se e ka gjithnjë e më të vështirë të gjejë filma të rinj që ta magjepsin.

“Më duket pothuajse e pamundur që të dalë një film i ri pa e analizuar deri në imtësi dhe pa i vënë re menjëherë dobësitë”, shkruan Tarantino.

Megjithatë, ai veçoi disa përjashtime, duke vlerësuar filmin “The Rip” të regjisorit Joe Carnahan, me protagonistë Matt Damon dhe Ben Affleck. Ai lavdëroi gjithashtu versionin e ri të “West Side Story” nga Steven Spielberg dhe dy kapitujt e parë të sagës “Horizon: An American Saga” të realizuar nga Kevin Costner.

Sipas Tarantinos, shumë pak filma të viteve të fundit kanë arritur ta “rrëmbejnë” dhe ta çojnë në atë “tokë magjike të kënaqësisë” që dikur e bënte të dashuronte kinemanë mbi çdo formë tjetër arti.

“Ditët e sotme do të preferoja të lexoja një libër”, u shpreh ai.

Regjisori shtoi se, edhe pse i konsideron vitet 1980 si një periudhë jo veçanërisht të fortë për kinemanë, ai i falte dobësitë e filmave të asaj kohe sepse e donte përvojën e të shkuarit në kinema. Sot, sipas tij, vetë koncepti i filmit shpesh i ngjall më shumë përbuzje sesa entuziazëm. 

EMISIONET