Plani i ri për Ballkanin, Xhaxhiu: Një 'martesë' mes dy propozimeve, francez dhe gjerman

Zgjerimi i Bashkimit Europian dhe rrugëtimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së ka marrë një rrjedhë të re pas daljes në dritë të një propozimi të përbashkët nga Franca dhe Gjermania.

Bëhet fjalë për një plan që synon integrimin gradual të rajonit, por duke vendosur kufizime të qarta për shtetet aspirante. Sipas këtij propozimi të ri, vendeve të Ballkanit Perëndimor do t'u ofrohet një rol vëzhgues në institucionet europiane. Liderët e këtyre vendeve do të kenë mundësinë të marrin pjesë në takimet e nivelit të lartë të BE-së, por pa patur as të drejtë vote dhe as të drejtë vetoje për vendimmarrjet e Unionit.

Eksperti dhe koordinatori i programeve në Shkollën Rajonale të Administratës Publike të Ballkanit Perëndimor, Genti Xhaxhiu, në një intervistë për “Ora News” ka zbardhur detajet e këtij formati të ri.

Ky zhvillim nuk është një risi absolute, por një "martesë" politike mes dy propozimeve të mëparshme dhe të mëvetësishme të bëra në kohë të ndryshme nga Presidenti francez Emmanuel Macron dhe zyrtarët e lartë në Gjermani, theksoi Xhaxhiu.

 Këto dy plane paraprake kishin pika të forta të përbashkëta, të cilat tashmë janë shkrirë në një strategji të vetme. Ajo që e bën këtë zhvillim të marrë ngjyrime misteri në korridoret e Brukselit është vetë forma e dokumentit. Ai po qarkullon në trajtën e një "white paper" ose memoje të brendshme, duke u dorëzuar në mënyrë tërësisht informale. Bëhet fjalë për një dokument pune që nuk mban as logo zyrtare dhe asnjë firmë. Pavarësisht natyrës së tij jozyrtare, ky dokument i është shpërndarë liderëve të Ballkanit Perëndimor, vendeve anëtare të BE-së dhe i ka kaluar menjëherë për shqyrtim Komisionit Europian, duke paralajmëruar lëvizje të reja gjeopolitike për të ardhmen e rajonit, u shpreh ndwr tw tjera Xhaxhiu.

Gent Xhaxhiu: Në fakt, propozimi franko-gjerman është martesë e dy propozimeve të mëvetësishme që këto dy vende kanë bërë, pra Presidenti Macron dhe shefi i kancelarisë pra në Gjermani, Merz, në dy kohë të ndryshme.

Pra është një bashkim i këtyre dy propozimeve që për hir të së vërtetës kishin goxha pika të përbashkëta dhe rrjedhimisht tani kanë marrë trajtën e një memoje apo 'white paper' siç quhet në gjuhën e Brukselit, që ka qarkulluar sot në samit, që i është dorëzuar në mënyrë informale, dhe në këtë sens duhet thënë që është një dokument pa logo, pa firmë. Është një dokument pune që i është shpërndarë sot liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve anëtare të BE-së, dhe paralelisht i është dërguar Komisionit Europian.

EMISIONET